Vushtrria fiton në tavolinë ndeshjen ndaj Dukagjinit, nxehet gara për kualifikim direkt në Superligë

Dukagjini ka humbur në tavolinë përballjen që dje e fitoi në fushë ndaj Vushtrrisë në Ligën e Parë.

Vushtrria u mposht 4 me 3 në xhiron e 28-të të kësaj lige, por një ankesë e klubit tjetër Vëllaznimi nga Gjakova, dhe e miratuar nga Komisioni i Garave të Ligës së Parë, ka bërë që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar 3 me 0 në favor të vushtrriasve.

Në arsyetim theksohet se lojtari i Dukagjinit, Granit Elezaj, ishte aktivizuar në lojë edhe pse kishte marrë katër kartonë të verdhë në ndeshjet paraprake.

Në konstatim theksohet se lojtari ishte ndëshkuar me të verdhë në javën e parë në ndeshjen Dukagjini – Fushë Kosova, në javën e 22-të në ndeshjen Dukagjini – Vllaznia, në javën e 23-të në ndeshjen Vitia – Dukagjini dhe në xhiron e 27-të në ndeshjen ndaj Bashkimit. Pas këtyre kartonëve ai është dashur të pushojë në javën e 28-të.

“Por i njëjti është aktivizuar në lojë, andaj kemi shkelje të Propozicioneve, pikërisht të nenit 53, paragrafi 1, prandaj ankesa e KF Vëllaznimi miratohet si e bazuar dhe ndeshja KF Dukagjini – KF Vushtrria, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për KF Vushtrria”, thuhet në njoftim të Komisionit të Garave.

Pas këtij vendimi, Vushtrria matematikisht bëhet fituese e Ligës së Parë, ndërsa Dukagjini rrezikon kualifikimin direkt.

Tash Dukagjini është i dyti me 56 pikë, vetëm një më shumë se Besa që është e treta dhe vetëm dy më shumë se Vëllaznimi që është i katërti, me dy xhiro deri në fund të sezonit. Pozitat tre dhe katër çojnë në barazh.