Takimi

Vuçiqi thotë se në takim me Borrellin insistoi për formimin e Asociacionit

Në Bruksel po mbahet rundi i dytë i takimeve dypalëshe mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe emisarëve evropianë.

Pas përfundimit të rundit të parë të takimeve dypalëshe ishte paralajmëruar mbajtja e një takimi të përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por një takim i tillë nuk ndodhi.

Paraprakisht, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, takuan ndaras Kurtin dhe më pas Vuçiqin.

Pas takimit të parë dypalësh, Vuçiq njoftoi përmes llogarisë së tij në Instagram se gjatë takimit me Borrellin dhe Lajçakun ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe “zgjidhjen paqësore të problemit”.

Ai po ashtu tha se ka përmendur “të gjitha veprimet e njëanshme” të Kurtit.

“E ritheksova përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi që synon mbrojtjen e popullit serb dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe shtova se Prishtina nuk është në gjendje të përmbushë atë që ka nënshkruar 11 vjet më parë, përkatësisht formimin e Asociacionit”, shkroi ai në Instagram.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.