Vuçiqi paralajmëron ndërtimin e rrugës Mitrovicë – Jarinje nga Serbia, rrugë që Kurti i tha stop!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar të hënën se për një muaj do të nis ndërtimin i rrugës Mitrovicë – Jarinje, që sipas tij do të jetë një pasqyrë, “e jo diçka që do t’i bënte me turp serbët nga gropat e shumta”.

Sipas tij, bëhet fjalë për një projekt të madh dhe një rrugë të rëndësishme, për të cilin paratë janë ndarë nga Qeveria e Serbisë.

“Do të jetë shumë i mirëseardhur për të gjithë serbët”, ka thënë Vuçiqi, përcjell faqja zyrtare e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Vuçiqi ka paralajmëruar se gjatë verës do të nisë edhe ndërtimi i spitaleve në Mitrovicë dhe Graçanicë.

Në fakt, kreu i shtetit serb ka kohë që ka paralajmëruar investime, mirëpo reagim zyrtar për këtë nuk ka pasur nga institucionet e Kosovës.

Në ndërkohë qeveria Kurti 1 pati deklaruar se kjo rrugë nuk do të ndërtohet.

Prej zyrës së kryeministrit Albin Kurti , patën thënë se shteti serb nuk mund ti kryejë punimet në autoudhën e përmendur.

“Rruga Jarinjë-Mitrovicë është rrugë rajonale në Republikën e Kosovës. Përkujdesja ndaj saj është përgjegjësi e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sikurse edhe të gjitha rrugët tjera rajonale brenda territorit të Republikës. Ne tashmë jemi në proces të vlerësimit të gjendjes aktuale dhe nevojës potenciale për investime në atë rrugë. Deklarimet e tilla nga Qeveria e Serbisë janë të pamatura, dhe çdo veprim eventual në këtë drejtim është i papranueshëm për Republikën e Kosovës”, thuhej në njoftim.