Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, derisa njoftoi për pjesëmarrjen në sesionin e kolegjit të zgjeruar të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, deklaroi se kapacitetet ushtarake të ushtrisë serbe janë duke u modernizuar dhe zgjeruar “për ta ruajtur paqen” në Ballkanin Perëndimor.

“Pajisjet e ushtrisë serbe janë duke u modernizuar dhe zgjeruar. Ne kemi shumë sfida, forca të mëdha janë mbledhur në rajon, për arsye të ndryshme. Ne duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë, duhet të rritet numri i ushtarëve dhe duhet të jemi shumë të qartë në mesazhin tonë për parandalimin e çdo agresioni të mundshëm ndaj vendit tonë”, shkroi presidenti serb.

“Ne jemi duke investuar shumë para në ushtri dhe shpresoj të kemi përgatitjen, moralin dhe kompetencën më të lartë. Serbia dëshiron paqen, por për ta ruajtur paqen duhet të kemi një ushtri të fortë që do të pengojë çdo armik të mundshëm”, shtoi ndër të tjera presidenti i Serbisë.