Një tjetër fjalim për publikun i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e “ka mbajtur” mbrëmë, është përcjellë nga mediat rajonale.

 Kështu, në tekstin “Vuçiq po dramatizon sërish: Duan të më qëllojnë publikisht, nuk do të nënshkruaj asgjë”, Klix.ba transmeton fjalët e presidentit serb se Serbia ende nuk ka marrë një draft se çfarë kërkon BE-ja për çështjen e Kosovës.

 “Presidenti i Serbisë deklaroi se në Ohër nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ditë fatale dhe se nuk ka problem në atë që po nënshkruhet, por të gjithë shpresojnë që ai të nënshkruajë”, ka shkruar ndër të tjera portali Klix.ba.

Ky portal i Sarajevës është marrë edhe me ngjarjen e sotme nga Serbia në lidhje me Aleksandar Vuçiqin.

 Ata kanë shkruar se si presidenti i Serbisë ka paditur gazetaret femra për shkak të serialit “Sundimtari”.

 “Oslobodenje” e Sarajevës shkruan: “Vuçiq foli: Kam punuar me ta tre ditë për këtë çështje, ne kemi paraqitur propozimin tonë dhe shqiptarët kanë dorëzuar propozimin e tyre” për fjalimin e Presidentit të Serbisë. “Askush në skenën mediatike politike dhe publike nuk kujdeset për Kosovën. E vetmja gjë për të cilën shqetësohen është se kanë mundësi të qëllojnë publikisht presidentin e Serbisë. Shpresojnë të gjithë, ata qe organizojnë protestën këtu nesër dhe këta te tjerët shpresojnë që të firmos unë dhe më pas të më kërkojnë kokën në një pjate, sikur unë e bëra atë plan. Ata janë të frikësuar ose të pakënaqur që ai plan do të pranohej. Përkundrazi, ata do të jenë të pakënaqur nëse ai plan pranohet”, ka thënë Vuçiq, transmeton Oslobodenje.

 Indexii kroat ndër të tjera raportoi këtë deklaratë të Vuçiqit: “Siç e shohim, Serbia përbën më shumë se 50 për qind të ekonomisë së Ballkanit Perëndimor”.

“Deri para disa vitesh Serbia ishte vetëm 39 deri në 40 për qind e ekonomisë totale të Ballkanit Perëndimor. Serbia sot është Serbi. Si e shikojmë ne, më shumë se 50 për qind e ekonomisë së Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti i Serbisë, transmeton Index.

ALEKSANDAR VUÇIQI U DREJTUA QYTETARËVE: “Ata që organizojnë protestën më duan kokën në pjatë dhe do të jenë të pakënaqur nëse nuk pranohet plani”.

Ky është titulli i “Slobodna Bosna” për fjalimin e mbrëmshëm të Vuçiqit. Ata kanë përcjellë edhe mesazhin e tij se sërish dëshiron të vazhdojë normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët dhe se Serbia i përmbahet fort “vijave të kuqe”.

“Jutarnji List”, gazeta më e madhe kroate, ka raportuar edhe deklaratën e Vuçiqit se Serbia përbën 50 për qind të ekonomisë së Ballkanit Perëndimor, si dhe se ai nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në lidhje me Kosovën. /Ballkani.info/