Kryeministri i Serbisë

Vuçeviq: Asnjë milimetër ​​s’do të lëvizë në dialog derisa të jetë Kurti në pushtet

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi të martën se nuk pret që mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen përderisa kryeministri kosovar, Albin Kurti, të ushtrojë pushtetin në Kosovë, derisa pretendoi se për këtë është i vetëdijshëm edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE), Mirosllav Lajçak, i cili kujdeset për procesin e dialogut.

“Nuk shoh asnjë milimetër hapësirë ​​që diçka do të lëvizë në dialog derisa të jetë Kurti në pushtet. E shoh që edhe Lajçaku është i vetëdijshëm për këtë. Ata e dinë se Kurti nuk do të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, deklaroi kryeministri serb, transmetoi “Kosovo Online” gjatë ditës.

Ndryshe, një cikël i ri i bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jetë ngjarja kryesore e ditës së martë, ndërsa Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, synon të arrijë progres në zbatimin e marrëveshjeve.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.