Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, ka njoftuar se është marrë vendim që në çështjen gjyqësore ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të pranohen disa deklarata të dëshmitarëve me shkrim.
“Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 28 qershor, trupi gjykues lëshoi një vendim në lidhje me kërkesën e prokurorisë për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të një dëshmitari dhe provat materiale në lidhje me të”.
Doyle, në konferencën javore potencoi se mbrojtja ka ngritur shqetësime lidhur me një pjesë të provave, veçanërisht pjesën e cila ka të bëjë me pretendime kundër Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit.
“Trupi Gjykues vuri në dukje se deklarata e dëshmitarit nuk përfshin asnjë pretendim për të cilat u shqetësua mbrojtja dhe e pranoi si provë”, tha Doyle në konferencën javore.
Sipas Doyle, trupi gjykues kishte konstatuar se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëm mbrojtjes.
“Trupi Gjykues konstatoi se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëmtim padrejtësisht mbrojtjes, duke qenë se mbrojtja do të ketë mundësinë t’i bëjë pyetje dëshmitarit në sallën e gjyqit para se të pranohen provat trupi gjykues do të vendosë çfarë peshe do t’u kushtojë provave në kuadër të provave përkatëse të paraqitura gjatë gjykimit”.
“Në të njëjtin vendim, trupi gjykues u bind se qëllimi i prokurorisë për të parashtruar dëshminë me shkrim të dëshmitarit do të kontribuonte në kryerjen e shpejtë të procesit”, deklaroi ai.
Ndërsa, ai tha se më 2 korrik është marrë vendimi që të pranohen deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë.
“Më 2 korrik, Trupi Gjykues pranoi si prova deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë. Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të dëshmitarit të dhjetë, duke konstatuar se nëse Mbrojtjes nuk i jepet mundësia për të marrë në pyetje këtë dëshmitar, kjo mund të ketë efekt dëmtues ndaj të akuzuarve”, tha ai.
Duke folur për këtë çështje gjyqësore, Doyle tha se trupi gjykues ka urdhëruar prokurorinë që t’i paraqes atyre dhe palëve në procedurë një listë me tema dhe aspekte që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari tri ditë para se të fillojë dëshminë ai.
“Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë t’u paraqesë Trupit Gjykues, Mbrojtjes dhe Mbrojtësit të Viktimave një listë me tema dhe aspekte të përgjithshme që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje, tri ditë para fillimit të dhënies së dëshmisë së çdo dëshmitari, deklarata e të cilit pranohet me shkrim në vend të marrjes në pyetje në sallë të gjyqit”, tha ai.
Dëshmitari i 76-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Gjykatën Speciale do të dëshmojë në seancë të mbyllur.
Nga DhSK-ja është thënë se ish shefi i shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, do të vazhdojë javën e ardhshme.







