Vlerësime të larta artistike për botimin në bullgarisht të veprës së Rexhep Hotit, “Ndëshkimi i Kujtimeve”

Libri i autorit Rexhep Hoti “Ndëshkimi i Kujtimeve”, u promovua në gjuhën bullgare në universitetin më prestigjioz të Bullgarisë “St. Kliment Ohridski”, Fakulteti i Studimeve Sllave, Departamenti i Përgjithshëm i gjuhësisë Indo-Evropiane dhe Ballkanike.

Promovimi u organizua nën drejtimin e Shefes së Katedrës, Ekaterina Tarpomanova, e cila e vlerësoi lartë veprën e Hotit. Ajo tha se përkthimi i veprës së Hotit në gjuhën bullgare është një vlerë e shtuar për Universitetin në Sofje dhe letërsisë bullgare në përgjithësi. U lexuan shumë poezi shqip dhe bullgarisht nga studentët e ballkanistikës.

Rëndësinë e përkthimit në gjuhën bullgare e theksoi edhe albanologu dhe politologu bullgar, profesori Anton Panchev, i cili tha se vepra “Ndëshkimi i Kujtimeve”, është libri më voluminoz me poezi i një autori nga Kosova që është përkthyer në gjuhën bullgare.

“Për ta kuptuar veprën e Hotit, lexuesi bullgar duhet ta njohë aspektin politik, ekonomik e historik të popullit shqiptar. Lexuesi bullgar mund të përfitojë shumë, jo vetëm nga ana artistike por edhe nga ana historike dhe politike. Shpresoj që ne dhe kolegët tanë të vazhdojmë të përkthejmë librat e z. Hoti sepse veprat e Rexhep Hotit kanë vlera të mëdha kulturore, historike dhe artistike”, tha Panchev.

Ndërkaq, përkthyesja Madalena Dimitrova tha se vepra “Ndëshkimi i Kujtimeve” ka shumë shtresime duke përfshirë artin, politikën, historinë, kulturën, dashurinë, hidhërimin e të tjera.

“Çdo fragment i këtij libri është një botë në vete. Kur ta lexosh, nuk mund ta lexosh vetëm njëherë. Duhet ta lexosh shumë herë që të mund ta kuptosh sa shumë shtresa ka. Ka shumë nuanca, shumë emocione të bashkuara në një tërësi që formojnë poezi shumë të bukura”, tha Dimitrova.

Ndërkaq, autori Hoti falënderoi botën akademike të universitetit veçmas organizatorët.

“Jam i befasuar me praninë e shqipes në këtë universitet, me studentët dhe profesorët të cilët me kaq përkushtim i thellojnë studimet mbi albanologjinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Përkthimi i veprës sime ‘Ndëshkimi i Kujtimeve’, nuk është vetëm mirënjohje personale, por është vlerësim për atdheun tim. Diversiteti i kulturave është vlera më e madhe që ka njerëzimi, prandaj duhet të jemi në komunikim shumë më intensiv me njëri tjetrin”.

Përkthimi i librit “Ndëshkimi i Kujtimeve” u botua nga shtëpia botuese dhe shtypshkronja “Gutenberg” në Bullgari.

Hoti është autor i disa librave siç janë “Visore të shthurura”, “Nata e Kosovës”, “Tempulli i fjalës”, “Kosova përballë vetvetes”, “Pesha e konsensusit”, “Përzierje e trishtë”, “Gjenitë dhe drama e Kosovës”, “Flirti civil dhe ambasadori”, “Ndëshkimi i kujtimeve”, “Monologu i Prijësit”.