Virusi prek gjashtë futbollistë të Maqedonisë, pritet të mungojnë ndaj Lihtenshtajnit

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll, me plot optimizëm e pret përballjen me Lihtenshtajnin, në kuadër të raundit të tretë të garave në grupe në Ligën e Kombeve.

Trajneri Igor Angelovski, konfirmoi se ekipi ka pësuar një goditje, pasi disa futbollistë janë prekur nga virusi, mirëpo të tjerët janë të gatshëm për të shënuar rezultat pozitiv.

“Një numër i futbollistëve u ankuan në dhimbje të barkut dhe të njëjtit ishin në trajtime mjekësore . Nga rezultat u konfirmua se bëhet fjalë për një virus, i përcjellë me të vjella. Futbollistët janë nën mbikëqyrje mjekësore dhe situata e tyre është duke u përmirësuar dhe unë shpresojë që sa më shumë prej tyre do t’i kemi në dispozicion për sfidën ndaj Lihtenshtajnit”, tha mes tjerash Igor Angelovski.

Gjashtë futbollistë nuk u paraqiten në stërvitjen e fundit si Stefan Spirovski, Mite Cikarski, Arijan Ademi, Kristijan Toshevski, Stefan Ristovski dhe Boban Nikollov. Ndërkohë kapiteni Goran Pandev beson se në ditën e 25 vjetorit të futbollit vendor në skenën ndërkombëtare, i njëjti do të mbyllet me festë dhe me fitore ndaj Lihtenshtajnit.

“Sigurisht se 25 vjetori është një jubile i mirë. Shpresoj se do ta festojmë me fitore. Ne jemi gati dhe me padurim e presim këtë ndeshje. Për ne këto dy ndeshje janë vendimtare. Shpresoj se ndaj Lihtenshtajnit do të shënojmë fitore dhe më lehtë do të përgatitemi për ndeshjen me Armeninë”, tha mes tjerash Goran Pandev.

Përballja e raundit të tretë të Ligës së Kombëve, në kuadër të grupit të katërt të Divizionit D, në mes Maqedonisë dhe Lihtenshtajnit, do të zhvillohet më 13 tetor, në stadiumin “Filipi i Dytë” në orën 20:45.