Vila e rrethuar me tela, armë në koshere, çfarë u zbulua brenda “kështjellës” së Vis Martinajt

2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska etj., janë gjetur dje në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe të xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinaj gjatë operacionit të befasishëm të Forcave të Operacionales, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s të cilat blinduan fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit për herë të parë që pas zhdukjes së të shumëkërkuarit që në gusht të këtij viti.

Çfarë ndodhi një ditë më parë?

Me kërkesë së Prokurorisë së Kurbinit, por edhe të SPAK, Gjykata urdhëroi kontrolle në të paktën 10 banesa e objekte. Kontrolli në shtëpinë e Martinaj, u bë me qëllim mbledhjen e provave të reja.

Një tjetër arsye që dyshohet të ketë nxitur kontrollet në këto ditë festash është e mundësia e shfaqjes së Martinajt.

Grupi hetimor ngriti dyshimet se ai mund të takohej me familjarët për krishtlindje. Kjo bëhet mbi bazën e dyshimeve se zhdukja e Martinajt mund të jetë inskenim nga vetë ai, megjithëse ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet.

Në banesën e Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, në koshere bletësh u gjetën 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.

Gjatë kontrollit, sqaron policia, nuk janë gjetur vlera monetare. Ndërsa sendet e sekuestruara u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

Veç kontrolleve në banesën e tij, këtë të hënë kontrollet u shtrinë edhe tek të afërm e familjarë të të shumëkërkuarit që jetojnë në Fushë Kuqe.

Nga kontrollet tërhoqën vëmendje disa detaje. U vu re se shtëpia e Martinajt është e rrethuar me pemë, mure të lartë, tela me gjemba, dhe e pajisur me dhjetëra kamera sigurie.