Viktima e atentatit në Peqin, kushëriri i Endrit Alibej. Bosi i drogës që u ekzekutua një vit më parë

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Përparim, në Peqin ku viktimë mbeti 23-vjeçari Andi Zylyfi, djali i një punonjësi në burgun e Peqinit dhe mbeti i plagosur 21-vjeçari Ardit Uruçi.

Dy personat kanë qenë bashkë në të njëjtën makinë, ndërsa janë qëlluar nga një automjet në lëvizje, duke lënë të vdekur Zylyfin dhe të plagosur rëndë të riun tjetër.

Sipas informacioneve, Andi Zylyfi ka marrë plumb në kokë. Viktima nuk njihej si njeri problematik në zonë, ndërkohë që jetonte prej kohësh jashtë vendit dhe sapo ishte kthyer nga emigracioni.

Bëhet e ditur se në aksin Peqin-Elbasan, ku ndodhi atentati, vitin e kaluar në të njëjtin vend është organizuar atentat edhe ndaj djalit të hallës së viktimës së sotme.

Burimet bëjnë me dije se Andi Zylyfi është kushuriri i parë, djali i hallës së Endrit Alibej. Ky i fundit mbeti i vrarë në një atentat me armë rreth një vit më parë. Në këtë atentat u vra edhe Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk i quajtur  Erdal Duranay.

Endrit Alibej, 34 vjeç, një nga tre personat e ekzekutuar në Elbasan mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2018, rezultonte i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge. Endrit Alibeaj (Dylgjeri) mendohet se ka qenë shenjestra e atentatit vitin e kaluar ku mbetën të vdekur tre persona.