Veton Berisha kishte humbur shpresën për ftesë nga Norvegjia, pandemia e “ktheu në lojë”

Sulmuesi i skuadrës Viking, Veton Berisha, është ftuar nga Përfaqësuesja e Norvegjisë për ndeshjen kundër Austrisë, që do të luhet të mërkurën në Vjenë në kuadër të Ligës së Kombeve. Emri i Berishës ishte në mesin e 18 lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Leif Gunnar Smerud të hënën në mëngjes. Smerud është trajneri i ekipit U21 të Norvegjisë, por do ta drejtojë ekipin e parë ndaj Austrisë për shkak të situatës me koronavirus.

Berisha, 26-vjeçar, është lojtari i vetëm që është ftuar te Norvegjia nga elita e futbollit të këtij shteti. Ftesa për Berishën te Norvegjia ka ardhur si befasi e madhe, pasi vetë sulmuesi ka pranuar se nuk ka qenë i bindur se do të ftohej ndonjëherë.

“Unë në fakt as që kam menduar se do të ftohem më nga Norvegjia. Dhe tani shpresoj ta shfrytëzoj këtë mundësi për të dëshmuar veten. Unë jam i përgatitur dhe do ta pres rastin për të luajtur nëse me jepet”, ka thënë Berisha para se të kthehet në Vjenë, qyteti ku jetoi për dy vjet (2017-2019) derisa luante për skuadrën e Rapidit.

Berisha në të shkuarën ka qenë pjesë e Norvegjisë dhe ka regjistruar katër paraqitje, të gjitha në vitin 2016. Ai te Norvegjia pati debutuar në ndeshjen miqësore kundër Portugalisë më 25 maj të vitit 2016. Ka luajtur edhe në miqësoret me Belgjikën e Bjellorusinë, që Norvegjia i zhvilloi në muajt qershor dhe gusht, derisa paraqitjen e fundit e pati ndaj Gjermanisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Botëror, në shtator të vitit 2016. Madje, kundër Belgjikës shënoi një gol fantastik.

“Po kthehem pas një kohe të gjatë, ndoshta edhe për shkak të situatës, por jam shumë i lumtur dhe i emocionuar”, është shprehur Veton Berisha, i cili është vëllai i vogël i mesfushorit të Kosovës, Valon Berisha.

Sulmuesi i Vikingut kur të kthehet nga Austria në Norvegji nuk do të karantinohet për shkak se ka qenë i infektuar më herët me koronavirus dhe është shëruar. Kështu që shkuarja e tij në Austri për ndeshjen e Ligës së Kombeve nuk do të ndikojë as për skuadrën e Vikingut e as për kampionatin norvegjez.

Berisha, sikurse gjithë të tjerët, do të duhet ta bëjë testin për koronavirus para nisjes për në Austri, kurse asnjëri prej lojtarëve nuk do të takohet me njëri-tjetrin derisa testet të dalin negative. Krahas Norvegjisë, Berisha do të jetë i gatshëm edhe për ndeshjen e Vikingut që e luan të dielën në kampionat kundër Sarpsborgut.

Në të vërtetë, ndeshja e Norvegjisë, që ishte paraparë të luante në udhëtim me Rumaninë të dielën, u anulua. Autoritetet norvegjeze nuk e lejuan Përfaqësuesen të largohej nga Oslo duke i thënë se do të përbënte thyerje të protokolleve anti-COVID, pasi një lojtar ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Për shkak të lojtarit të infektuar, ekipi i Norvegjisë nuk do të kishte mundur të udhëtonte as në Austri nëse nuk do të bëheshin këto ndryshime. Në fakt, u formua një ekip krejt tjetër me emra të rinj.

“Unë mora të dielën një telefonatë ku me pyetën se a jam i interesuar të luaj në ndeshjen vendimtare të Ligës së Kombeve kundër Austrisë, që nuk hezitova për ta pranuar. Menjëherë pas kësaj telefonate nga federata, e thirra trajnerin Smerud për t’i thënë se më ka në dispozicion”, ka zbuluar Berisha.

Ai shpreson që të ketë minutazhë dhe dëshira e tij është që të shënojë gol, por thotë se gjithçka varet nga trajneri.

“Të shënoj gol si kundër Belgjikës, do të ishte mirë. Por duhet të shoh nëse do të më jepet minutazhë në këtë ndeshje. Do të ishte mirë nëse luaj dhe shënoj pasi do të bëja një figurë të mirë në qytetin ku kam jetuar për 18 muaj dhe njoh disa prej lojtarëve kundërshtarë”, ka thënë Berisha.

Edhe trajneri i përkohshëm i Norvegjisë, Smerud, ka pranuar se është i lumtur që do ta ketë në ekip sulmuesin e Vikingut, që këtë edicion ka treguar paraqitje të mira.

“Vetoni është një luftëtar, një lojtar i mirë dhe jam shumë i lumtur që është gati. Ai e ka pasur koronavirusin dhe futbolli norvegjez nuk do të ndikohet nga pjesëmarrja e tij në duelin kundër Austrisë”, tha Smerud.

Berisha këtë edicion ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar tetë herë në 25 paraqitje për Vikingun në të gjitha garat. Përfaqësuesja e Norvegjisë bën pjesë në grupin e parë të Ligës B të Ligës së Kombeve dhe zë vendin e dytë me nëntë pikë, tri më pak se Austria që prin.

Vetoni kishte vendosur të mbetej te Norvegjia, si një kompromis për ardhjen e Valon Berishës te Kosova. Në vitin 2016, Valon Berisha ishte lojtar shumë i rëndësishëm te Norvegjia, që tashmë ka yje në formacion.