Euro 2024

Vendosin gjermanët: Bonuset e Evropianit i japin për bamirësi

Në tri turnetë e fundit, futbollistët e Gjermanisë nuk morën asnjë bonus për shkak të paraqitjeve të dobëta.

Por, për shkak se e fituan Grupin A të “Euro 2024”, Gjermania mori bonusin e 50 mijë eurove për secilin lojtarë.

Ky bonus ishte i pari i fituar që prej vitit 2016. Gjermania synon që këtë shumë ta rritë edhe më shumë.

Federata e Futbollit e Gjermanisë paguan 100 mijë euro për arritjen në çerekfinale, 150 mijë euro për paraqitje në gjysmëfinale.

Arritja në finale do të bënte që lojtarët të përfitojnë 250 mijë euro, ndërsa me triumfin e mundshëm, shuma do të shkonte në 400 mijë euro, që është rekord për bonuse.

Por, një gjë është e sigurt, ka shkruar “Bild” të mërkurën.

“Lojtarët dëshirojnë që një pjesë të madhe të bonuseve të fituara, me iniciativën e tyre, ta dhurojnë për bamirësi, veçanërisht për të pastrehët”, ka shkruar gazeta e madhe gjermane.