Blerim Vela

Vela e sulmoi ish-shefin e tij Enver Hoxhajn, por demantohet keq nga ish-komandanti i KFOR-it

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, dje në një intervistë në RTK, ka dhënë një deklaratë interesante. Ai ka akuzuar në mënyrë direkte ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajn, se po e luan rolin e kukuvajkës. Në fakt, Vela për një kohë ka qenë pjesë e kabinetit të Hoxhajt, në cilësinë e këshilltarit, pra e kritikoi ish-shefin e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por Vela demantohet keq nga një deklaratë e ish-komandatit të KFOR-it, italianit

Sidoqoftë, siç raportoi RTK, Vela ka deklaruar “se është pak cinike të dëgjojmë sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të asaj kohe që të luajnë rolin e kukuvajkës dhe të thonë se paskan zbuluar diçka të re që FSK-ja të kërkojë të ketë një miratim paraprak që të shkojë në veri.”

Pra Vela po e akuzonte, por pa ia përmendur emrin Hoxhajn, pasi Hoxhaj një kohë i ka mbajtur funksionet e zv.kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës. Dhe dje, Hoxhaj, tash në cilësinë e opozitarit, e kritikoi Qeverinë Kurti e presidenten Osmani për pamundësinë e dërgimit të njësive policore në veri pa konsultimin me KFOR-in, shkrua Nacionale.

“Sot u pa qartë edhe një herë se me dyshen Osmani-Kurti, procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj, kur nga selia e NATO-s u tha se Kosova tani duhet të kërkojë leje nga KFOR-i për të vendosur forcat policore në veri. Lajm i keq!” – shkroi Hoxhaj.

Por në këtë intervistë për RTK-në, Vela i Osmanit ka tentuar të sqarojë deklaratën e Jens Stoltenbergut, sekretar i përgjithshëm i NATO-së, në lidhje me pamundësinë e shkuarjes së FSK-së dhe Policisë së Kosovës në veri pa lejën e KFOR-it.

“Ata kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë në arritjen e asaj dakortësie nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, presidentja e ka diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe është qartësuar kjo situatë, që, në fakt, nuk kërkohet miratim paraprak i KFOR-it ose i NATO-s për zbarkim të Policisë në veri, por se është një kërkesë e KFOR-it për koordinim në kuadër të kompetencave që ka të bëjë me reaguesit e parë, të dytë dhe të tretë që parandalojnë ndonjë eskalim të situatës në veri”, ka deklaruar Vela për RTK.

Në fakt, çështja e nevojës së koordinimit për policinë e Kosovës në veri është gjë e re. Një nevojë e tillë më parë nuk kishte ekzistuar. Dëshironi një shembull?

Në një intervistë për gazetën beogradase “Politika” gjashtë vite më parë, gjenerali italian Giovanni Fungo, atëbotë komandant i KFOR-it, siç raportonte Telegrafi, deklaronte se pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë të Kosovës mund të lëvizin në tërë territorin e Kosovës, përfshirë veriun pa lejen e KFOR-it.

“Në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 në mes të Beogradit dhe Prishtinës, institucionet e Kosovës nuk janë të detyruara të kërkojnë miratim nga KFOR-i për të lëvizur forcat e tyre policore në tërë territorin e Kosovës.” – ka thënë Fungo, transmetonte Telegrafi gjashtë vite më parë.

Çka tha Stoltenberg?

Dje pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Stoltenber deklaroi se për dërgimin e FSK-së dhe të Policisë së Kosovës në veri, duhet të ketë konsultim.

“Në përputhje me përkushtimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i forcave të sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociim me KFOR-in. Ne presim konsultime për secilin veprim të forcave të sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, që mund të ketë ndikim në siguri”, deklaroi Stoltember pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka bërë me dije se çdo zbarkim i forcave policore atje kërkon miratimin e KFOR-it.

“Nuk është kriter i ri. Ky qëndrim është bazë e misionit për një kohë të gjatë. Çdo zbarkim i forcave speciale kërkon miratim të KFOR-it dhe ka nevojë për konsultim të afërt mes autoriteteve të Prishtinës dhe KFOR-it për çfarëdo angazhimi që mund të ndikojë në pozitën tonë dhe sigurinë në Kosovë”, u shpreh shefi i NATO-së.

Kujtojmë që në 19 prill të vitit 2013, ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte pajtuar me ish-sekretarin e NATO-s, Andres Fogh Rasmussen, që FSK-ja të mos dërgohet në veri pa lejen e KFOR-it. Një veprim i tillë ishte kritikua ashpër nga kryeministri aktual Albin Kurti.