Veç 99 cent më lirë se vlera e parashikuar, Burim Berisha jep tender 124 mijë euro për mirëmbajtje të veturave

Veturat e komunës së Fushë-Kosovës do të mirëmbahen dhe servisohen përgjatë dy viteve, derisa tenderi në vlerë prej 124 mijë eurosh i është dhënë një kompanie.

Komuna e Fushë Kosovës, e cila udhëhiqet nga Burim Berisha ka njoftuar se ka dhënë kontratë për “Servisim dhe mirëmbajtje të automjeteve zyrtare”, e cila peshon plot 123,999.01 euro, shkruan Demokracia.com.

Këtë tender, komuna e Fushë Kosovës ia ka dhënë një kompanie me vetëm 99 cent më pak se vlera e përgjithshme e kontratës.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 124 mijë euro, derisa operatori ekonomik e ka fituar tenderin me çmimin më të ulët për vetëm 99 cent më pak, shkruan Demokracia.com.

Tenderin për mirëmbajtje dhe servisim të veturave të komunës së Fushë Kosovës e ka fituar operatori ekonomik “Gani B. Krasniqi B.I”.

Në garë për tender ka qenë vetëm kjo kompani.

Kompania do të bëjë mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave të Komunës së Fushë Kosovës për 24 muaj.

“Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve zyrtare të administratës të Komunës së Fushë Kosovës. Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të tipit Pasat 2 copë, Golf IV 12 cope, Golf VI 4 cope , Toyota 8 copë , Nissan Terano 1 copë , Kamion 1613 Ko 1 copë, Kamion Iveko 1 copë , Minibus Toyota 2 copë , Wolswagen T4 1 copë, Autoambulance Wolswagen T5 2 copë, Fort Trbis 2.4 1 copë, Fiat Mare 1 copë, Kia Rio 1 copë, Venta 1 copë, Cadi Pikape 1 copë , Mercedes Benz 113 CDI 1 copë , Skip Kase 580 Turbo 2 copë, traktor IMT 539 5 copë, Mitsubish Lancer 1 copë,  Autobus Man 1 cope, Kamion Dafi 1 copë, Wolsfagen T5 kamionet 1 copë, Fort Trbis 2.0 1copë, Minibus crafter 2 copë, mercedes sprinter CDI 315 kamionet 1 copë, mercedes vitro 113 1 copë, autofshise për pastrimin e rrugëve 1 copë, minibager DF 404 1 copë, rimorkio për traktor IMT 539 3 copë dhe kamion nisan Atleon 6.0 -autocistern 1 copë,etj”, thuhet në dosjen e kontratës.