KH Besa

Vdiq kampioni i shumëfishtë i Kosovës në hendboll Valbon Shala

Ka vdekur në moshën 39-vjeçare kampioni i shumëfishtë i Kosovës në hendboll dhe ish-reprezentuesi Valbon Shala.

Lajmi për vdekjen e shalës është bërë i ditur nga skuadra e tij e dikurshme KH Besa.

“E nderuara familje e Valbon Shalës ! Lajmi për vdekjen e Valbonit na ka pikëlluar të gjithëve , jemi të shokuar. Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta ! Gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit tonë , Valboni ishte shembull se si luftohet për ngjyrat e klubit ! Në këto momente të dhimbjes së madhe jemi pranë jush që ta përballoni më lehtë dhimbjen për më të dashurin tuaj!” – ka shkruar Besa në Facebook.

Për vdekjen e Valbon Shalës kanë njoftuar edhe familjarët e tij nëpërmjet rrjeteve sociale.

Valbon Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit e Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane. Është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit. Ai ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005. Ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.

Valboni ka luajtur në pozitën e pivotit, ku është shquar me paraqitje. Karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera të vendit tonë si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës. Në vitet e fundit karrierë ka bërë në Gjermani.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka ngushëlluar familjen Shala. 

“Mbetëm të shokuar kur na njoftuan për ndarjen nga jeta të Valbonit, një djaloshi të dashur nga të gjithë ne. Kontributi i tij për hendbollin pejan, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi, do të kujtohet gjithnjë. Klubi Besa Famgas, Peja si qytet, komuniteti i hendbollit pejan dhe kosovar në përgjithësi, sot kanë mbetur pa një lojtar që me paraqitjet e tij ishte shembull për të tjerët. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë familjes së hendbollit kosovar”, ka shkruar Saraçini.