Vasili kritikon Ramën: Iu dhe urdhër këshilltarëve t’ia hiqnin titullin Surroit, je i pabesë

Edhe gazetari Ben Andoni dhe nënkryetari i LSI-së, Petri Vasili, kanë kritikuar veprimin e Këshillit të Qarkut Kukës, për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës” ndaj Veton Surroit.

Vasili, madje thotë se këtë e ka bërë vet kryeministri Edi Rama, ndonëse Rama kritikoi më herët këtë vendim të Këshillit.

“Edi po me Vetonin ç’pate mor i pabesë! Edi po pse i tradhëtove këshilltaret e Kukësit? Edhe ju dhe urdhër këshilltareve, që t’i hiqnin titullin Vetonit edhe tani i shan dhe i nxjerr komplet si budallenj. Po pse ke qenë, je dhe do mbetesh i pabesë? Po budallai më i madh është kushdo që të beson më ty”, thotë ai.

Në anën tjetër, gazetari Andoni bën thirrje; “Mos e prekni Vetonin, mësoni prej tij”.

“Është e vërtetë që Veton Surroi ka qenë kritik për shumë nga personazhet e luftës së Kosovës dhe mbi të gjitha narrativat e ndërtuara për luftën. Veçse pakkush si ai e ka futur në hullitë e duhura këtë luftë dhe respektin për Kosovën. Publicistika dhe krijimtaria e Surroit në përgjithësi ka dalë prej shumë kohësh nga qethulli lokal duke i ndërkombëtarizuar me një punë tejet cilësore idetë e tij dhe punën intelektuale të qarqeve të Kosovës”, shkroi Andoni.

Andoni, thotë se në një farë mënyre, artikulimet e Veton Surroit i kanë paraprirë shumë kohë më parë problemeve reale të Kosovës por edhe qasjen tonë, duke e futur me një rrafsh krahasimtar bashkëkohor.

“Dhe, për këtë duhet me e vlerësu sepse ka qenë dhe mbetet barometër i pagabueshëm i situatës në Kosovë dhe jo vetëm kaq. Për më tepër dhe kur e kanë fyer, ai jo vetëm nuk është përgjigjur me të njëjtën monedhë por me anë të artikullit të radhës ka treguar klasin e lartë të publicistikës kosovare, që ai e përfaqëson bashkë me pak kolegë të tij. Janë pikërisht këta si Surroi, ata që sot ushqejnë shoqërinë kosovare dhe atë shqiptare dhe jo patetizmat e kinse heronjve dhe narrativat hipotetike”, shkruan Andoni.

Andoni, tutje thotë se “Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë tek ky krijues mendimin e lirë ku kontrollon shumë ide për Kosovën dhe ato që i duhen asaj.

“Ndaj vendimi i fundit i një grupi drejtues të qytetit që bëri aq shumë gjatë luftës së Kosovës është jo vetëm i padrejtë por tejet përçarës. Lëreni Gjykatën e Hagës, që është ngritur nga parlamenti i Kosovës të kryejë si duhet punët e veta dhe heshtni që drejtësia të bëj punën e saj. Heshtni dhe i kërkoni falje të sinqertë Vetonit, njeriut që iu dha një leksion të jashtëzakonshëm me fjalën e tij, kur mori këtë nderim vite më parë. Keni bërë një veprim, si Qark, që do t’ua zili të gjithë ata që e tollovisin kombin tonë. Më thjesht akoma: Mos e prekni Vetonin, mësoni prej tij!”, thotë ai.