Mbrojtësi holandez

Van Dijk thotë se Liverpooli mund të konkurrojë në Premier dhe Champions League

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil Van Dijk dëshiron që “The Reds” të synojnë triumfin e dyfishtë në Premier dhe Champions League, teksa në kompeticionin e fundit rrezikojnë të eliminohen që në fazën e grupeve.

Liverpooli përballet sonte me Napolin në “Anfield”, në një takim ku fitorja është obligim derisa suksesi me rezultat minimal mund të mos mjaftojë, me skuadrën e Jurgen Klopp që duhet të fitojë me dy gola epërsi.

Ka pasur diskutime se nëse Liverpooli eliminohet nga Champions League në fazën e grupeve mund të ketë ndikim pozitiv në garën për Premier League, atje ku klubi nga “Merseyside” nuk fiton prej vitit 1990.

Sidoqoftë, Van Dijk ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se Liverpooli ka skuadër të mjaftueshme sa të konkurrojë në dy fronte.

“Nuk e besoj se këtë persona që i thonë këto gjëra janë tifozë të Liverpoolit. Ne duam të konkurrojmë me nivelet më të larta. Skuadra jonë mund të përballojë dy kompeticione të rëndësishme, duhet ta dëshmojmë këtë por ne kemi kapacitete të tilla”, u shpreh Van Dijk.

Liverpooli pozicionohet në vendin e tretë të grupit C, me 3 pikë më pak se Napoli kryesues dhe 2 më pak se PSG-ja e vendit të dytë.

Van Dijk e pranon se deri më tani skuadra e tij nuk e ka merituar të kalojë tutje në fazën tjetër të Champions Leagues, por sipas tij me një fitore ndaj Napolit do të rregullohej gjithçka.