Valverde mendon se viti i tranzicionit nuk do të ekzistojë te Real Madridi

Pavarësisht se ka pasiguri se kush do të jetë trajner i Real Madridit për pjesën e mbetur të sezonit, “Los Blancos” do të rivalizojnë për secilin titull, mendon tekniku i Barcelonës, Ernesto Valverde.

Julen Lopetegui u shkarkua ditën e ardhshme pas humbjes së thellë 5-1 në “El Clasico”, ndërsa përkohësisht trajner i Real Madridit është emëruar Santiago Solari, me Roberto Martinez dhe Antonio Conten që janë favoritët kryesor të ulen në stolin e “mbretërve”.

Megjithatë Valverde beson se ky vit nuk do të jetë ai i tranzcionit teksa pret që Real Madridi t’i hap punë në garën për titull, përkundër se momentalisht ndodhen në vendin e 9-të me 7 pikë më pak se Barcelona.

“Real Madridi janë sikur ne dhe ata do të përgjigjen për formën e dobët. Për momentin nuk gjenden në vendin e duhur por është shumë herët. Real Madridi është gjithmonë i rrezikshëm dhe ata do të jenë në garë për La Liga. Ata janë në çdo kompeticion dhe njësoj si ne do të tentojnë të fitojnë në secilin prej tyre”, u shpreh Valverde.

Trajneri i Barcelonës refuzoi të komentonte mënyrën se si u shkarkua Lopetegui, ndërsa tha se nuk i pëlqen shkarkimet e kolegëve të tij.

Barcelona sonte takohet me Leonesan në udhëtim për sfidën e vlefshme për Copa del Rey.