Universiteti i Gjilanit dhe ai i Mitrovicës mbeten pa Këshilla Drejtues

Dy universitete rajonale publike tashmë e disa muaj kanë mbetur pa organin udhëheqës kryesor, atë të Këshillit Drejtues.

Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” dhe ai i Mitrovicës “Isa Boletini” që nga fillimi i vitit akademik nuk e kanë konstituar këtë Këshill.

E për mos kompletim të anëtarëve të këtyre Këshillave Drejtuese, po del të jetë fajtor Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila duhet t’i dërgojë 3 apo 4 anëtarë si pjesë të këtij Këshilli.

Zëdhënësja për informim në Universitetin e Gjilanit, Minire Rexhepi tha për KALLXO.com se UKZ ka kryer obligimet e veta për zgjedhjen e anëtarëve që i takojnë, por se janë në pritje të MAShT-it për kompletim.

“Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur zgjedhjet për anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues të zgjedhur nga Senati. Me këtë rast ka zgjedhur 4 anëtarë : Prof. Ass. Dr. Merxhan Avdyli, Prof. Ass. Dr. Nevrije Ismaijli, Prof. Ass. Dr. Urtak Hamiti dhe Prof. Ass. Dr. Musa Ajeti. Tani UKZ është vetëm me 4 anëtarët e saj të zgjedhur nga Senati, deri sa është në pritje të delegimit edhe të tre emrave të tjerë nga MAShT për të kompletuar KD te UKZ”, tha ajo për KALLXO.com

Rexhepi po ashtu tha se për këtë MAShT është njoftuar me 11 shtator të vitit 2018 për këtë çështje.

“Me 11.09. 2018 UKZ i ka dërguar një njoftim ministrit të MAShT-it për këtë, përmes së cilës ka kërkuar emërimin e tre anëtareve të KD-së nga MAShT , por deri tani nuk kemi marrë ndonjë shkresë, derisa mandati i KD të formatit të kaluar, ka skaduar me 30 shtator 2018”, ka shtuar tutje ajo për KALLXO.com.

Edhe Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” me të njëjtin problem

Se edhe në universitetin “Isa Boletini të Mitrovicës mungon kompletimi i Këshillit Drejtues e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi për informim i këtij universiteti, Ahmet Jashari.

“Ne i kemi njoftu Ministrinë, i kemi emëru anëtarët e Këshillit Drejtues që na takojnë neve, por jemi në pritje të Ministrisë për dërgimin e anëtarëve të tjerë, 3 apo 4 siç na takon, në mënyrë që ky këshill të jetë funksional dhe të fillojë punën siç duhet”, tha Jashari për KALLXO.com.

Ministria fajëson universitetet për mos lajmërim të mbajtjeve të zgjedhjeve

Lidhur me mos dërgimin e anëtarëve të tjerë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kjo e fundit ua ka lënë fajin universiteteve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com kishte thënë se këto universitete nuk e kanë lajmëruar Ministrinë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ajo që e ka karakterizuar edhe Universitetin e Gjilanit dhe disa universitete, i kanë bërë zgjedhjet e brendshme dhe kanë emëruar Këshill Drejtues pa na njoftuar fare ministrinë, njëfarë mënyre kanë qenë të obliguar të na njoftojnë dhe ne të jemi vëzhgues. Këtë e kanë bërë pa paralajmërim, ne e kemi marrë vetëm informacionin pasi kanë përfunduar zgjedhjet. Konsideroj që tashmë kemi ardhur në një vendim që të hapim rrugë por mos të shkaktojmë probleme më tutje. Përndryshe ne kemi mundur t’i anulojmë tërësisht zgjedhjet që kanë ndodhë në këto universitete pa qenë të lajmëruar ministria”, ka thënë Bytyqi.

Ndërsa, zëdhënësi për informim i MASHT-it, Valmir Gashi tha për KALLXO.com se së shpejti do të bëhet emërimi i tyre.

Qehaja: Të pakuptimta vonesat e emërimeve

Ndërsa, Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard” tha se vonesat e emërimeve nga ana e MAShT-it për këto Këshille dëmton institucionet arsimore dhe ngrit dyshime.

“Duke qenë që me ligjin për arsimin e lartë dhe me statut të universiteteve rajonale Këshillat Drejtues paraqesin autoritetin kryesor qeverisëses të universitetit, janë të pakuptimta dhe të papranueshme vonesat në emërim të anëtarëve të rinj nga MASHT. Kjo, përkundër që dëmton institucionet, ngrit dyshime serioze për një proces jo meritoratik të emërimeve”, tha ai për KALLXO.com.

Ndryshe, Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universiteteve. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.