UEFA mund ta përjashtojë Manchester Cityn nga edicioni i ardhshëm i Champions League

Presidenti i UEFA-së, Alexander Ceferin ka treguar se shumë shpejt do të publikohen gjetjet lidhur me hetimin ndaj Manchester Cityt për shkeljen e rregullave të Fair Play Financiar (FFP).

Revista gjermane “Der Spiegel” muajin e kaluar publikoi disa shkrime të bazuara te dokumentet nga faqja e informatorëve “Football Leaks”, të cilët raportuan se pronari i Manchester Cityt, Sheiku Mansour ka nënshkruar kontrata milionëshe sponsorizimi me kompani nga Abu Dhabi duke i përdorur pasuritë e pronarëve të tyre në mënyrë që të jenë në rregull me Fair Play Financiar të UEFA-s.

Një tjetër pretendim i “Football Leaks” ishte se institucioni më i lartë i futbollit në Europë (UEFA) i ka ndihmuar klubit anglez të mos dënohet për shpenzimet marramendëse që “Citizens” kishin bërë ndër vite.

Klubi anglez hedhi poshtë këto akuza duke i cilësuar tentime të organizuar për të dëmtuar imazhin e Manchester Cityt.

“Ne jemi duke e shikuar rastin. E kemi një trup të pavarur që po merret me këtë çështje. Shumë shpejt do të merrni një përgjigje se çfarë do të ndodhë”, tha Ceferin duke iu referuar rastit të Manchester Cityt.

Tashmë presidenti i FIFA-së, atë kohë sekretar gjeneral i UEFA-së, Gianni Infantino e ka mbrojtur marrëveshjen e arritur me Manchester Cityn dhe Paris Saint Germainin.

“Synimi ynë te UEFA ishte që t’i mbanin klubet afër nesh e jo t’i nxjerrim jashtë. Detyra ime si sekretar gjeneral ishte të gjeja një zgjidhje”, përfundoi Infantino.