UEFA

UEFA me lajm të hidhur për tifozët që duan të shkojnë në Gjermani për Euro 2024

Ndërsa gjithë Evropa e futbollit përgatitet për një nga eventet më të mëdha të verës së vitit të ardhshëm – Kampionatin Evropian “Euro 2024”, tifozët kanë filluar tashmë garën për të siguruar një vend në stadium për të ndjekur nga afër përballjet e skuadrave të tyre kombëtare.

Por këtë vit, përballjen për biletat e shumta të kërkuara e vështirëson vendimi i sapo marrë nga UEFA.

Në një njoftim të fundit, shtëpia e futbollit evropian bëri të ditur se do t’i caktojë çdo kombëtareje saktësisht 10 mijë bileta për çdo ndeshje në fazën e grupeve. Ky vendim zbatohet pavarësisht se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja dhe cilat janë kapacitetet e tij.

“Këto bileta do të shpërndahen sipas mënyrës që çdo federatë përkatëse zgjedh t’i shesë biletat për tifozët e saj. Për më shumë informacione, tifozët mund të vizitojnë faqen e dedikuar të skuadrave në EURO2024.com/tickets“, thuhet në komunikatën e UEFA-s.

Për ata tifozë që nuk arritën të plotësojnë kriteret e vendosura nga federatat e tyre përkatëse, ose nuk mbështesin një skuadër të caktuar, UEFA ofron një mundësi alternative. Ata inkurajohen të aplikojnë përmes një lotarie publike në EURO2024.com/tickets, nga tani e deri më 12 dhjetor.

Vendimi i UEFA-s për biletat mund të jetë një zhgënjim për disa, por gjithashtu paraqet një mundësi për tifozët pa përkatësi specifike për të qenë pjesë e atmosferës së jashtëzakonshme që pritet të mbizotërojë në stadiumet e ndryshme të Gjermanisë gjatë “Euro 2024”.