UEFA: Goli i Shaqirit do të kujtohet gjatë, Xhaka është motori i mesfushës së Zvicrës

Sajti zyrtar i Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka prezantuar të hënën Përfaqësuesen e Zvicrës si një prej pjesëmarrëseve në “Euro 2020” që mbahet këtë verë. Zvicra është në grupin A së bashku me Turqinë, Italinë e Uellsin.

UEFA natyrisht në tekstin për Zvicrën ka përmendur futbollistët shqiptarë të saj, Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Valon Behramin.

Zvicra për herë të pestë do të luajë në Evropian, ndërsa për kapiten do ta ketë Xhakën. Ndërkohë shumë pritet prej sulmuesit të Liverpoolit, Shaqiri.

Sipas UEFA-s, synim i Zvicrës mbetet kualifikimi në çerekfinale. Në Evropianin e kaluar helvetikët u ndalën në 1/8 e finales.

Si lojtar kyç të Zvicrës, UEFA ka përzgjedhur portierin Yann Sommer dhe Granit Xhakën. Xhaka i ka 89 ndeshje për Zvicrën dhe 12 gola.

“Kapiteni i Zvicrës është truri dhe motori i mesfushës. 28-vjeçari, që është zhvilluar te të rinjtë e Baselit, është në Arsenal që nga vitit 2016. Xhaka ishte pjesë e ekipit të Zvicrës që fitoi Botërorin U-17 në vitin 2009 dhe pjesë e ekipit që përfundoi nënkampion në Evropianin U-21 dy vjet më vonë. Ai tashmë ka përvojën nga tri ngjarje të mëdha si senior”, ka shkruar UEFA për Granit Xhakën.

Shaqirin, UEFA e ka përfshirë te golat më të veçantë të Zvicrës në kampionate evropiane.

“Goli i Shaqirit me goditje ‘gërshërë’ ndaj Polonisë në UEFA Euro 2016, do të jetë gjatë në kujtesën e gjithë atyre që ishin dëshmitarë të atij momenti”, ka komentuar UEFA.

Ndërkohë Valon Behrami dhe ish-kapiteni Stephan Lichtsteiner janë lojtarët e Zvicrës me më së shumti paraqitje në kampionate evropiane. Ata i kanë nga shtatë paraqitje. Prej shqiptarëve gola në Evropian kanë vetëm Shaqiri e Admir Mehmedi, nga një.

Behrami më nuk luan për Zvicrën, ndërsa pos Shaqirit e Xhakës me shumë mundësi për në Evropian do të ftohen edhe Mehmedi, Albian Ajeti dhe potencialisht ndonjë shqiptar tjetër.

Zvicra ndeshjen e parë të Evropianit e luan më 12 qershor ndaj Uellsit, në Baku. Më 16 qershor luan ndaj Italisë në Romë, ndërsa më 20 qershor ndaj Turqisë në Baku.