U zhduk para 3 javësh në Bjeshkë, ende asnjë gjurmë për fatin e 27-vjeçarit nga Kukësi

Në fshatin Borje të Kukësit, banorët dhe familjarët prej gati tre javësh janë në pritje të një lajmi për gjetjen e  27-vjeçarit Meledin Adili i raportuar i zhdukur që nga mbrëmja e 4 shtatorit të këtij viti.

Ai ishte nisur për të mbledhur boronica në bjeshkët e Sharrit të komunës së Dragashit në Kosovë kur humbi gjurmët me familjarët.

“Ne si fshatarë nuk jemi ndalur, familjarët e tij nuk janë ndalur. Fshatrat e tjerë kanë ardhur në ndihmë, kërkimet kanë vazhduar. Prej 3 javësh nuk është gjetur asnjë gjurmë nga ai djalë. Ai nuk ka qenë djalë, ai ka qenë engjëll. Mos të të vijë djali te shtëpia është…mos të të vijë mushkëria te shtëpia është… Unë i bëj thirrje shtetit si fshatar, i lutem që të mos ndalet kërkimi. Të bëhet përpjekje maksimale që të gjendet ai djalë, të vijë pranë familjes.”

Ndërkohë në shenjë solidarizimi dhe mbështetje kryetari i Degës së PD-së Kukës Admir Sinamati së bashku me kryesinë e degës ishin në fshatin Borje për të vizituar familjen Adili.

“Kërkimet për të humburin Meledin Adili janë duke vazhduar. Në kërkim janë përfshirë policia dhe ushtria e Kosovës, njësitet speciale të Policisë së Kosovës, policia e Kukësit, banorë të Borjes, vullnetarë nga vendbanimet e tjera malore te Dragashit.”

Meledin Adili u raportua i zhdukur më 4 shtator nga familja e tij. Meledin Adili, 27 vjeç nga fshati Borjë, doli si çdo ditë për të mbledhur boronica në Bjeshkë, por prej  4 shtatorit nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Pavarësisht kërkimeve të familjarëve dhe policisë  i riu nuk është gjetur ende.