U kap me një ton kanabis, si u zbulua 31 vjeçari shqiptar nga policia greke

Kishte organizuar gjithçka me detaje, por u zbulua nga Policia me gati një ton kanabis në furgon. Mirjan Gjini, nga Dunavati i Gjirokastrës, është vënë në pranga, ndërsa lënda narkotike është konfiskuar.

Sipas hetuesve grekë, “mali i madh” me kanabis do të përfundonte në qendër të Athinës. 30-vjeçari shqiptar u pikas pas lëvizjeve të dyshimta në Janinë. Kjo bëri që punonjës të Policisë rrugore të vënë në dijeni hetuesit.

Kjo pasi furgoni me të cilën po kryente transportin e 951 kg kanabis sativa, ishte i vjedhur dhe me targa të falsifikuara. Pas ndalimit të furgonit, punonjësit e Policisë nuk e patën të vështirë për të zbuluar sasinë e madhe të lëndës narkotike. E ndarë në rreth 591 pako, kanabisi ishte vendosur në pjesën e pasme të mjetit të transportit.

Furgoni, nga verifikimet e kryera, rezultoi i vjedhur në ishullin e Atikës më 5 prill të këtij viti dhe i ishte vendosur targë e falsifikuar. Në momentin e ndalimit, Gjinit iu sekuestruan edhe një sasi prej 300 euro si dhe tre telefona celularë.

Sipas grupi hetues, lënda narkotike do të përfundonte në duart e grupeve që bëjnë shpërndarjen e kanabisit në Athinë. Përmes telefonave, hetuesit shpresojnë të zbulojnë pjesëtarë të tjerë të grupit të trafikimit.

ZBULIMI

Policia greke pas denoncimit për vjedhjen e një furgoni në Patisia ishte vënë në kërkim të mjetit, por në fakt rezultonte se mjeti kishte kaluar territorin shqiptar. Aty i janë hequr targat dhe i janë vendosur targa të një automjeti tjetër, që nuk ishte i vjedhur. Por, përveç kësaj, furgoni ishte i mbushur gjithashtu plot me drogë.

Automjeti u ndalua në rrugët e Janinës, ndërsa në drejtim të mjetit ishte një 30- vjeçar shqiptar. Operacioni ishte bashkëpunim i antidrogës, emergjencës dhe Policisë rrugore, pasi kishin pikasur praninë e një furgoni që po bënte një “rrugë” jo të zakonshme që vinte nga Shqipëria. Zbulimi ka sjellë dhe ekzaltimin e drejtuesve të Policisë.

“Urime për punën profesionale. Kjo drogë nuk do të përfundojë në duart e kriminelëve, që më pas do të helmonin fëmijët tanë”, është shprehur një prej drejtuesve të Policisë lokale. Por, nga ana tjetër, është kërkuar që punonjësit e Policisë të mos rrezikojnë jetën e tyre në luftën kundër këtij rrjeti të trafikut të drogës.

HETIMET

Mirjan Gjini, lindur në Gjirokastër, është babai i një fëmije të mitur. 30-vjeçari dyshohet se ka transportuar sasinë e madhe të kanabisit të papërpunuar nga Shqipëria për në Greqi. Por, është ende e paqartë nëse furgoni ka kaluar në pikën doganore të Kakavijës apo droga është transportuar përmes kufirit të gjelbër. Kufiri shqiptaro-grek ka qenë dhe mbetet një nyje kyçe e trafikut të drogës, ndërsa për të parandaluar këtë fenomen janë angazhuar edhe forca policore europiane të FRONTEX.

Prej fillimit të vitit, Policia greke ka sekuestruar kryesisht pranë kufirit por edhe në zona të tjera, rreth 7.6 tonë marijuanë që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Trafikantët shfrytëzojnë kryesisht vijën e gjelbër për ta kaluar lëndën narkotike në vendin fqinj dhe më pas transportohet me automjete drejt destinacionit përfundimtar, por nuk kanë munguar dhe rastet e kalimit përmes pikave kufitare duke e fshehur në automjete.

loading…