LAJMI I FUNDIT

U bastisen 13 lokacione në veri, Veton Elshani jep detaje për aksionin që filloi herët në mëngjes

Ka përfunduar aksioni policor lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë, i cili filloi në orët e mëngjesit, ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Që nga mëngjesi i sotëm janë kryer bastisje në 13 lokacione në tri komuna në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë, shkruan Ballkani.info.

“Shtatë bastisje i kemi bërë në Mitrovicë, tri në Leposaviq dhe tri në Zveçan”, ka saktësuar Elshani.

Mirëpo, edhe tash ai nuk ka mundur të thotë nëse dhe çfarë është gjetur gjatë këtyre kontrolleve. Ai vetëm konfirmoi se nuk ka pasur të arrestuar.

Sa i përket pjesës veriore të Mitrovicës, aksionet policore janë kryer në një ndërtesë afër Tre Rrokaqiejve, vendbanimi Bërgjani, afër objekteve të Kombeve të Bashkuara, Rrugën “Drvarska”, si dhe disa automjete policore janë parë edhe pasdite afër restorantit Grey. /Ballkani.info/