Kritika

“Turp të qoftë; Adem Jashari s’ka luftuar për këtë”: Kurti kritikohet për takimin me ministrin izraelit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën për takimin në Qeveri me ministrin e Punëve të Brendshme të Izraelit, Moshe Arbel, duke njoftuar edhe për udhëtimin pa viza për shtetasit e Kosovës në këtë shtet. Sidoqoftë, shumë komentues nuk i gëzoi ky lajm, përkundrazi. Ata e kritikuan dhe madje edhe e fyen Kurtin për këtë takim.

Në postimin ku publikoi një fotografi duke i shtrënguar duart me ministrin izraelit dhe duke mbajtur në dorën tjetër një dhuratë, Kurti në gjuhën angleze shkroi: “Sot e mirëprita ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Moshe Arbel, i cili udhëtoi në Kosovë për të nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, duke u dhënë qytetarëve të Kosovës udhëtim pa viza në Shtetin e Izraelit.”

“Kjo është vetëm më e reja në një varg marrëveshjesh mes dy shteteve tona, duke e vërtetuar bashkëpunimin tonë të ngushtë në shumë sektorë. Gjatë takimit tonë, unë e njoftova ministrin Arbel për rinovimin e Qendrës Kulturore Hebraike të Prizrenit – projekt i financuar nga Qeveria jonë përmes MKRS-së. Ne gjithashtu diskutuam për një mori të mundësive frytdhënëse për investime në Kosovë që bizneset izraelite t’i eksplorojnë” – shtoi Kurti.

Postimi i Kurtit nxiti shumë reagime nga komentuesit dhe shumica prej tyre ishin me kritika të ashpra e fyerje. Sidoqoftë, disa prej komentuesve e lavdëruan takimin.

“Turp të qoftë! Përfundimisht e ke humbur busullën tënde morale” – shkroi një komentues.

“A hiq s’po e ke frikë Allahun? Palestinë e lirë” – shkroi dikush tjetër.

“Çfar hipokriti, kurgjo nuk ka mbet nga Albini opozitar, ku janë deklaratat e VV-së për krimet e Izraelit ndaj civilëve palestinezë, i keni fshirë nga të gjitha faqet?… Pushteti jua ka shpalu fytyrat të gjithëve!” – shkroi një përdorues me emrin Dardan Duraku.

“Absolutisht e turpshme dhe shqetësuese” – shkroi një përdoruese me emrin Genta.

“Kjo nuk është ajo për të cilën vdiq Adem Jashari” – shkroi në gjuhën angleze një përdorues me emrin Vali.

Një përdorues me emrin Arbër Rexhaj shkroi: “Dikur, për ty këta ishin kriminela e bëjshin gjenocid mbi një popull të pambrojtur e të pafajshëm! Turp”

Më tej, një përdorues tjetër përdori term fyes ndaj kryeministrit: “Turp të kesh o pe*err”

Sidoqoftë, disa komentues patën komente pozitive. “Punë e mirë, Albin, Izrael, kemi një mik” – shkroi një përdorues me emrin Carjani.

“Mrekulli të kesh një partner si Izraeli” – shkroi një përdorues me emrin Agron Andri.

Ministri Arbel ishte të martën në Kosovë, ku nënshkroi një marrëveshje me homologen kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, për udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës në Izrael.

Kryeministri Kurti u kritikua ashpër para disa ditëve edhe për pjesëmarrje në paradën e komunitetit LGBT në Prishtinë. “O sa të duash investo në ushtri, kur je duke e shkatërru popullin e familjen nga brenda. Turp të qoftë” – i tha komentuesi Ardit Qerimi Kurtit në rrjetin “Facebook”.