Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se akoma ka mungesë të stafit për të trajtuar krimet e luftës në departamentin e Prokurorisë Themelore.
Deklaratën Haxhiu, e bëri gjatë tryezës së organizuar me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale”.
“Përmes ndryshimeve në kodin e procedurës penale, si shtet kemi qenë të detyruar të mundësojmë gjykimin në mungesë, kemi shtuar kapacitetet për departamentin që merret me krimet e luftës, numri është ende i vogël për të shqyrtuar dokumentet për krime lufte”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se miratimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale ka kosto prej 15 milionë euro, por që i njëjti sipas saj ndërton themele për një të ardhme të drejtë, solidare dhe të barabartë.
Duke vlerësuar se me miratimin e kësaj strategjie Kosovës i është krijuar një “kornizë e jashtëzakonshme” për trajtimin e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.
“Strategjia Tranzicionale përshkruan synime ambicioze nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënës tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike. Qeveria e ka miratuar strategjinë për drejtësinë tradicionale, që nga marrja e mandatit ballafaqimin më të kaluarën e kemi bërë prioritet”, tha Haxhiu.
Për 22 vjet rreth 67 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë dhe shumica e këtyre të dënuarve nuk janë serbë, por shqiptarë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.
Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.







