Tuchel konfirmon Buffonin në portë por nuk e di se kur do të rikthehet Cavani
Trajneri i Paris Saint Germain, Thomas Tuchel konfirmoi Buffonin në portë për ndeshjen e nesërme në Ligue 1 kundër Lille, dhe atë në Champions League mesjavën e ardhshme ndaj Napolit, që njëherëshit do të jetë debutimi i tij në këtë arenë me parisienët.
PSG barazoi 2-2 përballë Napolit në shtëpi, me Tuchel që ka vendosur t’i besojë eksperiencës së gardianit veteran në prag të sfidës së kthimit në “San Paolo” që mund të vendos shumë për fatet e grupit, me Alfonse Areola që ishte në portë në 3 ndeshjet e para.
Në anën tjetër prezenca e sulmuesit Edinson Cavani mbetet në dyshim, me uruguaianin që e humbi derbin e fundjavës së kaluar ndaj Marseilles.
“Buffon ka një rol të rëndësishëm për skuadrën me eksperiencën e tij. Ai do të jetë në portë ndaj Lilles dhe Napolit. Lidhur me Cavanin do të presim stërvitjen e sotme për të marrë një vendim”, zbuloi Tuchel.
Paris Saint Germain e ka mundësinë për të vënë një rekord të ri në 5 kampionat elitare të Europës, nëse e mposht Lillen duke koleksionuar startin më të mirë me 12 fitore rresht.
“Ndeshja ndaj Lille do të jetë shumë e vështirë sepse ata janë një skuadër kualitative dhe shumë të rrezikshëm. Do të jetë e rëndësishme t’i pamundësojmë atyre kundërsulmet. Fitorja e 12-të do të arrihet vetëm nëse e japim maksimumin”, përfundoi ish trajneri i Dortmundit.