Ish-Presidenti

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të rrëzojë vendimin që e përjashtoi nga kandidimi në Kolorado

Ish-Presidenti Donald Trump paraqiti të mërkurën kërkesën në Gjykatën e Lartë për rrëzimin e vendimit që e përjashtoi nga kandidimi në zgjedhjet në Kolorado. Gjykata e Lartë pritet të vendosë tashmë nëse do të pranojë apelimin e ish-presidentit për të shqyrtuar nëse një klauzolë e kushtetutës që ndalon pjesëmarrjen e personave që “janë angazhuar në rebelim” do t’i japë fund apo jo karrierës së tij politike.

Ish-Presidenti Trump apeloi vendimin e miratuar 4 me 3 nga anëtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados, që shënoi herën e parë në histori që Seksioni 3 i Amendamentit të 14-të u përdor për të përjashtuar një kandidat nga pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale.

Ky nen është përdorur aq rrallë në historinë amerikane, sa që Gjykatës së Lartë nuk i është dashur të japë ndonjëherë vendim në lidhje me të.

Kërkesa e së mërkurës u bë një ditë pasi ekipi ligjor i ish-Presidentit Trump apeloi vendimin e marrë nga Sekretarja e Shtetit në Mein, demokratja Shenna Bellows, e cila pati vendosur se zoti Trump nuk mund të kandidonte në këtë shtet për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kapitolit. Vendimet e Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe të sekretares së shtetit në Mein janë tashmë të pezulluara derisa të përfundojë procesi i apelimit.

Kritikët e zotit Trump kanë ngritur dhjetëra padi që synojnë skualifikimin e tij nga kandidimi në disa shtete. Ai humbi zgjedhjet në Kolorado me 13% vota më pak në vitin 2020 dhe nuk i nevojitet fitorja në këtë shtet për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Republikane apo presidencën. Por vendimi i Kolorados ka potencialin të shtyjë gjykatat dhe sekretarët e shteteve që ta përjashtojnë nga fletëvotimet në shtetet ku fitorja është e domosdoshme.

Këto padi nuk kishin patur ndonjë sukses deri në momentin kur një shumicë e ngushtë e shtatë gjykatësve të Gjykatës së Lartë në Kolorado – të gjithë të emëruar nga guvernatorë demokratë – vendosën muajin e kaluar kundër zotit Trump. Kritikët paralajmëruan se vendimi ishte i tepruar dhe se gjykata nuk mund të deklaronte thjesht se sulmi i 6 janarit ishte një “rebelim”, pa patur një proces gjyqësor për këtë.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados do të mohonte të drejtën e votës për miliona persona në Kolorado dhe mund të përdoret si precedent për të përjashtuar dhjetëra miliona të tjerë në mbarë vendin”, shkruajtën avokatët e zotit Trump në apelimin drejtuar gjykatës më të lartë të vendit, duke vënë në dukje se tashmë edhe shteti Mein ka ndjekur shembullin e shtetit Kolorado.

Kërkesa e ish-Presidentit Trump pason një apelim të paraqitur më herët në Gjykatën e Lartë nga Partia Republikane e Kolorados. Ekspertët mendojnë se gjykata do të pranojë shqyrtimin e çështjes, pasi ka të bëjë me çështje të paqarta kushtetuese që prekin thelbin e mënyrës se si qeveriset vendi.

Të gjitha palët i kanë bërë thirrje gjykatës që të veprojë me shpejtësi. Avokatët e ish-Presidentit Trump i kërkuan gjykatës të mërkurën që ta rrëzojë vendimin, pa bërë as seancat për dëgjimin e argumentave verbale. Avokatët që përfaqësojnë paditësit në Kolorado kanë kërkuar zhvillimin e këtyre seancave, por edhe dëshirojnë një program të përshpejtuar që do të jepte një vendim deri në muajin e ardhshëm. Zgjedhjet paraprake në Kolorado mbahen në 5 mars.

Sean Grimsley, avokat për paditësit që kërkuan përjashtimin e zotit Trump nga kandidimi në Kolorado, u shpreh muajin e kaluar gjatë një emisioni për çështjet juridike se mendon se gjykata më e lartë e vendit do të veprojë me shpejtësi sapo ta pranojë shqyrtimin e çështjes.

“Kemi zgjedhje paraprake në Super të Martën dhe duhet ta dimë përgjigjen”, tha zoti Grimsley. (Super e Marta është dita kur shtetet më të shumta amerikane mbajnë njëkohësisht zgjedhjet paraprake.)

Gjykata e lartë në Kolorado la në fuqi vendimin e marrë nga një gjykatë rrethi se 6 janari ishte “një rebelim” i nxitur nga zoti Trump. Gjykata ra dakort me padinë, e paraqitur nga gjashtë republikanë dhe disa votues pa parti të Kolorados dhe e mbështetur nga një organizatë liberale me seli në Uashington, se zoti Trump pati shkelur qartazi nenin e kushtetutës për rebelimin. Për shkak të kësaj, gjykata vendosi se ai skualifikohet, ashtu siç do të ishte skualifikuar nëse nuk do të plotësonte për shembull kriterin për moshën minimale prej 35 vjetësh për të kandiduar për president.

Me këtë vendim, gjykata e lartë e këtij shteti përmbysi vendimin e gjykatës më të ulët ku thuhej se nuk ishte e qartë nëse neni për rebelimin në Seksionin 3 vlen për ish-presidentin. Kjo do të jetë një ndër çështjet e shumta që do të shqyrtojë Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara.

Aspekte të tjera janë për shembull: nëse shtetet, si shteti Kolorado, mund të vendosin se për kë bën fjalë Seksioni 3 për rebelimin; nëse do të nevojitet veprim nga Kongresi për të hartuar një proces për t’ua ndaluar personave të caktuar kandidimin për poste publike; nëse për 6 janarin përmbushet përkufizimi ligjor për rebelimin; si dhe nëse zoti Trump ishte thjesht duke ushtruar lirinë e shprehjes atë ditë, apo nëse mban përgjegjësi për sulmin e dhunshëm që synonte ndaljen e çertifikimit të fitores së demokratit Joe Biden. Ish-Presidenti Trump mbajti një tubim përpara sulmit ndaj Kapitolit, ku u tha mbështetësve të tij se “nëse nuk luftoni si dreqi, nuk do të keni më një atdhe”.

Gjashtë nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara janë emëruar nga republikanët dhe tre prej tyre nga vetë ish-Presidenti Trump.

Vendimi i Kolorados citon një vendim të mëparshëm të marrë nga Neil Gorsuch, një ndër të emëruarit në Gjykatën e Lartë nga ish-Presidenti Trump, gjatë periudhës kur ishte gjykatës federal në Kolorado. Në atë vendim thuhej se shteti ka një interes legjitim në heqjen nga fleta e votimit të një shtetasi amerikan të natyralizuar, i cili nuk mund të kandidonte për president pasi kishte lindur në një tjetër vend, në Guyana.

Sidoqoftë, Seksioni 3 nuk është përdorur pothuajse fare që nga vitet pas Luftës Civile, kur ua ndaloi anëtarëve të Konfederatës, palës humbëse të luftës, rikthimin në postet qeveritare. Neni me dy fjali thotë se kushdo që ka bërë betimin për të “mbështetur” Kushtetutën dhe që pastaj është angazhuar në rebelim nuk mund të mbajë poste publike, me përjashtim të rastit kur i lejohet nga Kongresi me një votim me dy të tretat.

Ekspertët mendojnë se i vetmi rast kur ky nen u vu në përdorim gjatë shekullit të 20-të ishte në vitin 1919 kur Kongresi e përdori për të përjashtuar nga marrja e detyrës së ligjvënësit një socialist që kundërshtonte futjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore dhe që ndërkohë ishte zgjedhur për në Kongres.

Por në vitin 2022, një gjykatës e përdori këtë nen për të hequr nga detyra një komisioner qarku në Nju Meksiko, pasi u dënua për hyrjen në Kapitol gjatë sulmit të 6 janarit. Grupet liberale bënë padi për të bllokuar rikandidimin në zgjedhje të Ligjvënësve Madison Cawthorn dhe Marjorie Taylor Greene, për shkak të rolit që luajtën ditën e sulmit. Çështja ndaj zotit Cawthorn nuk vazhdoi për shkak se ai humbi në zgjedhjet paraprake në vitin 2022 dhe gjykata vendosi për mbajtjen në fletëvotim të emrit të zonjës Greene.

Disa konservatorë paralajmërojnë se nëse emri i zotit Trump hiqet nga fleta e votimit, grupet politike do ta përdorin rregullisht Seksionin 3 ndaj kundërshtarëve të tyre, në mënyra të papritura.

Administrata e Presidentit Biden ka vënë në dukje se presidenti nuk ka asnjë rol në këto procese gjyqësore.

Çështja nëse ish-Presidenti Trump mund të vazhdojë kandidimin nuk është çështja e vetme që ka mbërritur deri në Gjykatën e Lartë në lidhje me ish-presidentin apo me 6 janarin. Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith për të pranuar dhe shqyrtuar me shpejtësi pretendimin e zotit Trump se gëzon imunitet nga hetimet për akuzat se planifikoi përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo çështje sidoqoftë mund të rishfaqet sërish përpara Gjykatës së Lartë, në varësi të vendimit që do të marrë një gjykatë apeli në Uashington.

Gjithashtu, gjykata ka njoftuar se do të dëgjojë argumentat e një apelimi që mund t’u japë fund qindra padive të ngritura nga trazirat në Kapitol, përfshirë edhe ndaj vetë zotit Trump./VOA