Paris Saint-Germain është eliminuar nga Kupa e Ligës së Francës pasi është mundur 2-1 në shtëpi nga Guingamp në çerekfinale. Kjo ka qenë fitorja e parë e miqve në një ndeshje të luajtur në fushën e PSG-së në të gjitha kompeticionet që nga viti 2001.
Neymar ka kaluar në avantazh vendasit në minutën e 63-të. Ky ka qenë goli i 46-të i brazilianit në 51 ndeshje të luajtura me kampionët në fuqi të Francës dhe i pari me kokë me Parisin.
Gjithsesi, ky realizim nuk i ka mjaftuar ekipit të Tuchel, që ka pësuar dy gola në harkun e 12-të minutave. N’Gbakoto ka barazuar në të 81-ën me penallti, ndërsa Thuram, i cili ka gabuar një penallti në minutën e 61-të, i ka dhuruar kualifikimin miqve po nga pika e bardhë në minutën e 93-të.
PSG i thotë lamtumirë para kohe një kompeticioni që e ka dominuar në pesë edicionet e fundit me pesë trofe të fituar radhazi.
Guingamp, që mban vendin e fundit në Ligue 1, është ekipi i parë që mund PSG-në në kupat kombëtare që nga Montpellier në janarin e 2014-ës.







