Trepça gjobitet me 6300 euro, një zyrtar i saj përjashtohet përjetë nga basketbolli

Komesari i Garave të Superligës së Kosovës në basketboll, Faton Kurshumlija, ka marrë vendimet lidhur me incidentet që ndodhën të dielën në Mitrovicë, me të përfunduar ndeshja Trepça – Prizreni-16. Pas përfundimit të ndeshjes ishte sulmuar fizikisht basketbollisti i Prizrenit, malazezi Ivan Koleviq.

Trepça është gjobitur me gjithsej 6300 euro. 5000 euro është gjoba për “realizim të sulmit fizik pas përfundimit të ndeshjes në kohë të rregullt”. Tre basketbollistë të Trepçës, duke përfshirë kapitenin e skuadrës, Valdrin Haxhiu dhe reprezentuesin e Kosovës, Drilon Hajrizi, janë dënuar me nga 600 euro dhe me një ndeshje moslojë. Pos Haxhiut e Hajrizit, ky dënim i është ndarë edhe Burim Zekiqit. Ata janë dënuar “për sjellje josportive”.

Ndërkohë Bujar Istrefi i KB Trepça është dënuar me “ndalesë përjetë në kryerje të detyrës në të gjitha postet te KB Trepça”. Ai është përjashtuar sipas nenit të Rregullores Disiplinore që thotë se “kush fyen, provokon ose sulmon garuesin, trajnerin, gjyqtarin funksionarin, delegatin ose shikuesin në lojë ose jashtë terrenit të basketbollit do të dënohet me së paku gjashtë muaj të kryerjes së detyrës, ndërsa në rastet e rënda përjetë”. Te Prizreni-16 e kanë vlerësuar të padrejtë vendimin e komesarit. Prizreni e kishte humbur ndeshjen dramatike me shifrat 97:90. Ndeshja i takoi xhiros së dytë të Superligës.

“Federata e Basketbollit e Kosovës regjistron ndeshjen me rezultat si përfundoi. Para tre muajve ishte komplet rezultat dhe vendim tjetër. Dëshmi që standardet e dyfishta ekzistojnë në basketboll”, thuhet në një reagim të Prizrenit, që ka paralajmëruar një tjetër komunikatë zyrtare. Trepça është dënuar me 200 euro për mungesë të pajisjeve të zërimit. 500 euro Trepça duhet t’i paguaj për organizim të dobët të ndeshjes. 200 euro “xehetarët” janë dënuar për “anim dhe sjellje jo sportive të shikuesve”. Ndërsa 400 euro prej dënimit total prej 6300 euro, Trepça obligohet t’i paguaj për “shërbimin e dobët të kujdestarisë”.