Trepça ’89 fiton derbin e Mitrovicës

Trepça ’89 e ka fituar ndeshjen derbit të qytetit të Mitrovicës.

Skuadra e 89-shit e ka mposhtur Trepçën me rezultatin 2:0 të martën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Takimi në mes të dy skuadrave të Mitrovicës i takoi xhiros së gjashtë të Grupit A të Ligës së Parë. Me këtë fitore, Trepça ’89 është ngritur në vendin e parë, kurse Trepça zë vendin e shtatë me pesë pikë.

Trepça ’89 golin e parë e shënoi në minutën e 37-të nëpërmjet Robert Rrahmanit. Ai ishte i saktë nga gjuajtja e lirë.

Ndërkohë, golin e dytë për 89-shin e shënoi kapiteni Ardian Muja në minutën e 61-të. Ai shënoi me gjuajtje të saktë brenda zonës së 16-metërshit të Trepçës.

Si futbollistët e 89-shit ashtu edhe ata të Trepçës krijuan disa raste shënimi. Por ishin futbollistët e Trepçës ’89 që fituan ndeshjen derbi të zhvilluar pas një kohe të gjatë. Trepça ka disa vjet që ka rënën nga elita, ndërsa edhe 89-shi edicionin e shkuar nuk arriti të mbijetonte në Superligë.

Ndërkohë, të martën është luajtur edhe ndeshje tjetër në mes të Ferizajt dhe Flamurtarit. Ferizaj e fitoi ndeshjen e Grupit B të Ligës së Parë me rezultatin 3:0. Golin e parë për Ferizajn e shënoi në minutë ne 52-të, të dytin në minutën e 68-të nga Albion Kurtaj, kurse të tretin e realizoi Kenan Orana në minutë ne 85-të.