Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, tekniku italian bëri të ditur se kalendari i ngjeshur i ndeshjeve e detyroi të bënte ndryshime në përbërjen e skuadrës dhe të aplikonte rotacion. Në mesin e futbollistëve që përfituan nga këto ndryshime ishte edhe ylli i Kosovës.

Zhegrova e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mundësinë e dhënë. Në përballjen e së dielës ndaj Venezias, ai për herë të parë luajti një ndeshje të plotë me fanellën e Juventusit, duke kontribuar edhe me një asistim në fitoren bindëse 4-0 të “Zonjës së Vjetër”.

Spalletti ka shpjeguar se aktivizimi i Zhegrovës nga minuta e parë ishte pjesë e planit për të menaxhuar ngarkesën e futbollistëve, pasi Juventusin e presin tri ndeshje brenda pak ditësh.

“Pikërisht për shkak të tri ndeshjeve lindi edhe mundësia që Zhegrova të kishte rastin të luante nga minuta e parë. Qëllimi është të bëhet një rotacion i duhur, në mënyrë që skuadra të arrijë t’i përmbyllë tri ndeshjet pa i ngarkuar tepër futbollistët”, ka deklaruar Spalletti.

Juventusin e pret të enjten përballja me Omonian, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Evropës, ndërsa të dielën do të përballet me Comon në kampionat.

Ndërkohë, Zhegrova po vazhdon të fitojë hapësirë dhe besimin e trajnerit italian. Në dhjetë ndeshjet e zhvilluara këtë edicion, ylli dardan ka regjistruar dy gola dhe tri asistime.

Rotacioni ia hapi derën, ndërsa paraqitjet e fundit po e bëjnë Zhegrovën një alternativë gjithnjë e më të rëndësishme për Juventusin