Në deklaratë është përmendur edhe riafirmimi i plotë për dialogun Kosovë – Serbi.

Në pikën gjashtë të deklaratës thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës.

BE-ja ka inkurajuar palët që të shfrytëzojnë momentin politik për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të bëhet progres konkret pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë është theksuar nevoja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Është përsëritur angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa është riafirmuar rëndësia e zgjerimit si një investim gjeostragjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e themeloreve, si dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne mirëpresim dinamizmin dhe progresin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE që nga Samiti i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët. Paralelisht, dhe në përputhje me Deklaratën e Granadës, BE-ja duhet të vazhdojë me përgatitjet dhe reformat e veta për një Bashkim Evropian më të zgjeruar”, thuhet në deklaratë.

Është përsëritur rëndësia e angazhimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur vlerat dhe parimet evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Është thënë se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit apo revizionizëm bien ndesh me vlerat themelore evropiane.

“Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për të garantuar funksionimin e demokracisë. Ne ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar partnerëve për të garantuar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të nxisin një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me krimet e luftës”, thuhet në deklaratë.

Është theksuar rëndësia e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, pajtimit dhe marrëdhënies së fqinjësisë së mirë.