Në një intervistë të gjerë për podcastin “MD Meets” të drejtorit ekzekutiv të Axel Springer, Mathias Döpfner, Kushner, i cili është dhëndri i presidentit Donald Trump, tha se ishte i bindur që Putini dëshiron paqe, raporton televizioni CNN.
“Vlerësimi im është se ai jo vetëm që dëshiron paqe; ai dëshiron të përpiqet të ndryshojë marrëdhënien me Amerikën dhe dëshiron të shohë nëse ka mundësi për një fillim të ri.”
“Deri tani Putini ka treguar vetëpërmbajtje; ai ka rënë dakord të mos përdorë armë bërthamore, çka natyrisht është diçka e madhe, dhe na ka siguruar se ky nuk është qëllimi i tij”, shtoi ai.
Kushner dhe negociatori tjetër amerikan, Steve Witkoff, janë takuar disa herë me Putinin, së fundmi këtë muaj në Kremlin.
“Ai mban shumë shënime kur flasim dhe shpreh mendimet shumë specifikisht. Por është shumë e qartë se ka një kuptim shumë të thellë të çështjeve.”
Kushner hodhi poshtë sugjerimet se ShBA-ja ka ushtruar presion mbi Ukrainën që të bëjë lëshime ndaj Rusisë.
“Ai është padyshim një burrë i madh i politikës, një figurë historike”, tha Kushner.
Ukraina ka thënë se Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së ka vonuar dërgesat e raketave jetike të mbrojtjes ajrore dhe se ndarja e informacionit të inteligjencës është ndërprerë.
Përsa i përket përpjekjeve për të arritur një zgjidhje që do të përfshinte çështjet e kontrollit territorial, Kushner tha: “Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë apo me atë se kush ka të drejtë ose gabim.”
Kushner tha se kufijtë në Evropë kanë ndryshuar me kalimin e kohës.
“Besoj se kur njerëzit shohin qëndrueshmëri afatgjatë dhe një rrugë drejt paqes, mendoj se do të jenë pak më fleksibël se ku të vihet vija.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më herët këtë muaj se negociatorët amerikanë kishin hedhur idenë që Ukraina të tërhiqte forcat e saj të mbetura nga rajoni lindor i Donbasit në këmbim të anëtarësimit në NATO.
“Amerikanët ngritën një pyetje: ‘Po sikur Ukraina të anëtarësohet në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që ngrihej kjo çështje”, tha Zelensky pasi u takua me Kushnerin dhe Witkoffin.






