Vashat e Kosovës

Trajnerja e Kosovës pas humbjes nga Uellsi: Duhet të punojmë më shumë, rezultati 6:0 është dëshpërues

Përzgjedhësja e Kosovës për futbolliste, Anneli Andersen, ka thënë se është dëshpërues rezultati i ndeshjes kundër Uellsit. Pas disfatës së thellë 6:0 nga Uellsi, të martën në Podujevë, suedezja Andersen tha se janë duke bërë hapa para.

Por sipas saj, niveli ku aktualisht po paraqitet Kosova është i lartë.

“Ka shumë gjëra që po i bëjmë mirë e disa jo. Më dëshpëruese është rezultati 6:0. Në këto faza është e rëndësishme të mbash rezultatin sepse në fund ai rritet. Po bëjmë hapa para dhe po mundohemi të mësojmë vazhdimisht”, ka thënë Andersen.

Ndërkohë, kapitenia Erëleta Memeti pranon se janë ende larg nivelit që kërkohet.

“Është nivel ndryshe dhe kjo lojë duhet të na shërbej për eksperiencë. Çdo vajzë duhet të ushtroj edhe më shumë në shtëpi për të rritur nivelin. Ne duhet të përmirësohemi për të arritur këtë nivel. Jemi munduar ta ruajmë rezultatin, por kjo nuk funksionoi. Pamë që ky nivel është i lartë. Çdo lojtare duhet të punoj edhe më shumë individualisht në aspektin fizik, pasi në momentet e fundit të lojës forca fizike ishte më e dobët dhe pësuam më shumë gola”, ka thënë Memeti.

Mbrojtësja e krahut, Rrezona Ramadani, thekson se Liga B është bindshëm më e fortë se Liga C, nivel ku në të kaluarën ka luajtur Kosova.

“Ndeshje shumë e vështirë për ne, por mendoj që rezultati nuk ishte real. E dimë se niveli i Ligës B është më ndryshe se e Ligës C, por kemi edhe katër ndeshje dhe duhet të tregojmë se ky rezultat nuk ka qenë real dhe të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë në të ardhmen. Kemi përparuar por duhet të tregojmë paraqitje më të mira në Ligën B. Ngritja në Ligën B nga Liga C ka qenë sukses për ne”, ka thënë Ramadani.