Trajneri i Sivassporit: Kemi ardhur në Prishtinë ta mposhtim Ballkanin

Trajneri i Sivassporit, Riza Çalimbay ka folur në një konferencë për media në prag të takimit me Ballkanin në Ligën e Konferencës.

Çalimbay para gazetarëve e ka thënë qartë se skuadra e tij ka udhëtuar në Prishtinë të marrë pikët e plota ndaj kampionit të Kosovës.

“Kjo ndeshje është e rëndësisë së veçantë dhe për shkak të disfatës në vendin tonë javën e kaluar, rëndësia e këtij ballafaqimi është rritur edhe më shumë. Ne padyshim duhet të marrim pikë këtu”.

“Ballkani është ekip i mirë dhe i rrezikshëm. Por edhe neve duhet të na kushtohet vëmendje, po ashtu. Provuam gjithçka që kemi mundur për të shënuar në ndeshjen e fundit, por për fat të keq kemi pranuar gola të papritur në fushën tonë. Kemi pasur shumë shanse, e sidomos në pjesën e dytë, kemi luajtur shumë mirë. Pjesa e parë e ndeshjes mbaroi në Sivas, këtu do ta zhvillojmë pjesën e dytë. Qëllimi jonë është të fitojmë. Nuk kemi ide tjetër, por e dimë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë. Nëse duam të fitojmë, gjëja më e rëndësishme në lojë është disiplina, koncentrimi dhe lufta në fushë. Kur i bëjmë këto gjëra, mund të kthehemi me atë që duam”.

“Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Kemi humbur në ndeshjen e fundit, por unë mund t’iu them se jemi shumë ambiciozë. Nuk fituam ndeshjen dhe pikët, por për duelin e nesërm, synim është fitorja. Nuk kemi synim tjetër. Shpresoj se do të tregojmë ndeshje të mirë të enjten dhe të marrim tri pikë nga ai ballafaqim”, ka deklaruar trajneri turk në konferencë për media.

Ballkani dhe Sivasspori do të përballen të enjten mbrëma me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të Grupit G.

Ballkani zë vendin e parë me katër pikë, po aq sa kanë edhe Sivasspori, Slavia Praha dhe Cluji.