Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Angelovski: Ndaj Kosovës, kemi gjasa për kualifikim

Maqedonia e Veriut i ka mbyllur me fitore Eliminatoret në grupe për “Euro2020”. Skuadra e trajnerit Angelovski këto eliminatore i mbylli në pozitën e tretë në grup.

Fqinji jonë falë garave në Ligën e Kombeve ka gjasa të shkojë në Evropian. Në këto gara apo në “play-off” në mars të vitit të ardhshëm do të përballet me Kosovën.

Trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, ka folur për këtë ndeshje, derisa ka thënë se beson shumë se do ta eliminojnë Kosovën.

“Për play offin me Kosovën, shpresojë të llogarisim në të gjithë futbollistët dhe se nuk do të na përsëritet kjo seri me futbollistë të lënduar. Tani kemi fituar shumë futbollistë të rinj”.

“Jam i mendimit se po që se me Kosovën, do të jemi komplet dhe jemi në nivelin tonë më të mirë, kemi gjasa të mëdha të kualifikohemi”, ka thënë Angelovski pas mbylljes së ndeshjes eliminatore me Izrealin.

Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Kosova, përmes eliminatoreve nuk ia dolën të kualifikohen në Euro 2020.