Derbi

Trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani shprehet i kënaqur me paraqitjen e ekipit

Drita e Gjilani i kanë ndarë pikët duke luajtur 2:2 në derbin e Anamoravës, që i takoi xhiros së 26-të të Superligës në futboll.

Golat për të kaltrit i shënuan Baftiu (24’) dhe Dabiqaj (55’), ndërsa për të kuqtë, Basa (32’) dhe Ismajli (44’).

Vlen të ceket se po ashtu u dhanë tre karton të kuq, një për Dritën e dy për Gjilanin.

Pas ndeshjes, trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në derbi.

“Mendoj që nuk i kemi zhgënjyer tifozët. Është shfaqur derbi i vërtetë, ka pasur luftë, gola, lojë të bukur e kartonë. Jam i kënaqur sepse çunat treguan karakter. Bëmë ndeshje të mirë dhe është pikë e mirë për vazhdimësinë. Kjo tregon se ekipi e ka forcën e duhur për të vazhduar tutje. Lojtarët që kisha në lojë mund ta zgjidhnin ndeshjen në disa situata. Problemi ishte se ne e qarkulluam ngadalë topin dhe më pas luajtëm me topa të gjatë që ishte gabim. Si shkoi ndeshja është dashur ta zgjidhnim atë që në pjesën e parë. Çunat e kishin për detyrë të luanin me harkime për shkak se kemi shënuar shumë gola me Jaroviqin, por këtë nuk na e lejoi kundërshtari. Kemi bërë ndeshje të mirë dhe dua t’i marr gjëra pozitive. Tani duhet t’i përmirësojmë gabimet që i kemi bërë”, ka theksuar Mezani.

Kështu, Drita e lëshon mundësinë për të kaluar në krye të tabelës. Tash ata kanë 50-të pikë për pozitën e tretë. Në krahun tjetër, Gjilani grumbullon 26 pikë.