A mund të ndodhë të jesh tifoz dhe të mos dish ku do ta luajë ndeshjen e radhës ekipi i zemrës? Po, u ndodh shumë njerëzve në fakt, por a mund të ndodhë që të jesh tifoz i Liverpoolit dhe të mos e dish ku luhet supersfida Liverpool-Bayern në Champions League?
Kështu ka ndodhur, me sa duket, me një tifoz të quajtur Paul, i cili në mënyrë absurde ka udhëtuar nga Anglia për në Gjermani dhe ka bërë lëmsh gjithçka, duke ngatërruar datat e ndeshjeve.
Në dhjetor Paul kishte blerë biletë për të parë në stadium ndeshjen kundër bavarezëve, por i kishte bërë llogaritë gabim, sepse biletën e kishte për ndeshjen në Mynih, që është ndeshja e kthimit, ndërsa fluturimin e prenotoi gabimisht për ndeshjen e vajtjes, që në fakt luhej në Anfield.
Vetë tifozi, i cili shkoi në Mynih dhe e ndoqi ndeshjen mes tifozëve dhe gazetarëve të habitur gjermanë (nuk dihet si përfundoi në televizionin gjerman), tregon: “Gjatë festave të fundvitit e teprova me birrat dhe pasi bleva biletat për ndeshjen e vajtjes, prenotova edhe avion për në Mynih, i bindur që ishte aty vajtja. Nuk e kisha kuptuar që ndeshja e vajtjes luhej në Liverpool”.
Histori e çuditshme, për të qeshur, por ndoshta edhe e pabesueshme, sepse nuk ka mundësi që në ditët para ndeshjes një tifoz i Liverpool të mos lexonte asnjë gazetë, të mos shihte TV e të mos lexonte online që ndeshja luhej në Anfield. Apo ka vërtet tifozë kaq anormalë?!







