Serbia

Thirrja e Perëndimit dhe tërheqja e Vuçiqit

Pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, Serbia jo që nuk u distancua, por edhe shtoi prezencën e trupave ushtarake në kufirin me Kosovën. Ky veprim nxiti vendet perëndimore që të jenë një linjë të reagimit, dhe tejet të qartë në kërkesat e tyre ndaj shtetit që drejtohet nga Aleksandër Vuçiq.

Shtetet e Bashkuara të Amerikë, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kanë qenë të prera ndaj Beogradit zyrtar: të tërhiqen menjëherë trupat e dislokuara përgjatë kufirit me Kosovën.

Këto thirrje të vendeve perëndimore do ta detyronin Serbinë që të fillojë zvogëlimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me fqinjin e saj, Kosovën.

Fillimisht, kërkesa do të vinte nga vendi më i fuqishëm i botës, ShBA.

Në një angazhim të madh diplomatik, të premten e 29 shtatorit, të gjitha kanalet diplomatike të ShBA-ve u vunë në funksion të de-eskalimit të tensioneve në kufirin në mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur të premten para gazetarëve, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby e përshkroi “dislokimin e madh ushtarak” të tankeve dhe artilerisë së sofistikuar serbe si “një zhvillim shumë destabilizues”.

“Është shqetësuese. Nuk duket si një grup djemsh që u mblodhën për ta bërë këtë”, tha Kirby, duke iu referuar sulmuesve. “Ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”.

John Kirby, koordinator për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Kirby theksoi se grumbullimi i trupave kishte ndodhur brenda javës së fundit, por qëllimi i tij nuk ishte ende i qartë.

Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i telefonoi presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për të kërkuar “de-eskalim të menjëhershme të tensionit dhe kthim në dialog”.

“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani janë në Serbi duhet të mbahen përgjegjës”, sqaroi në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Blinken shprehu gjithashtu mbështetje për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it (misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë), duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin “sfida të papranueshme” për forcën kosovare dhe komunitetin ndërkombëtar, sipas Miller.

Antony Blinken dhe Aleksandër Vuçiq

Pas Shteteve të Bashkuara, një ditë më pas, pra të shtunën, të njëjtën kërkesë do ta bënte edhe Bashkimi Evropian, përmes Përfaqësuesit të Lartë të Unionit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Borrell i bëri thirrje Serbisë ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme Veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Borrell ka përsëritur pritjet e tij që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

“Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.

Josep Borrell

Në këtë drejtim, edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka theksuar se është e rëndësishme që shteti i Serbisë të largojë urgjentisht ushtrinë e dislokuar pranë kufirit me Kosovën.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, MPJ-ja gjermane, potencoi se nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Së bashku me partnerët tanë jemi në kontakt intensiv me të gjitha palët. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, shkruan.

Reagim për dislokimin e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën, pati edhe nga ekzekutivi kosovar.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti i bëri thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe shtetit serb që të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe “të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”.

Përmes një komunikate të lëshuar nga qeveria thanë se pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radojiçiç, “marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”, thuhej aty.

Nga të gjitha këto reagime dhe kërkesa, kreu i Serbisë Aleksandër Vuçiq, u detyrua që të dalë në media ndërkombëtare për të folur për këtë çështje.

Për “Financial Times” ai deklaroi se nuk ka ndërmend të urdhërojë forcat ushtarake të vendit të tij që të kalojnë kufirin në Kosovë.

Vuçiç theksoi se ai do të tërhiqte forcat e Serbisë në zonë, sepse një përshkallëzim i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv për aspiratat e Beogradit për në BE”.

“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë”, shtoi.

Serbia not to impose sanctions on Russia: President Vucic
Aleksandër Vuçiq

Tensionet në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit. E gjithë kjo pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Për këtë, institucionet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejte Serbinë se qëndron prapa këtij akti.

Për ta dëshmuar, ata kanë thënë se armatimi që e kanë pasur terroristët serbë i përket ushtrisë serbe, dhe njëri nga terroristët – i cili tha se ka qenë organizatori – Milan Radojiçiq, është një njeri i besuar i presidentit serb Vuçiq.

Ndërsa, pronat që terroristi Radojiçiq i ka pasur në Kosovë i janë bastisur nga policia.

Si pasojë e sulmit terrorist ka mbetur i vdekur polici, tanimë heroi, Afrim Bunjkau.

Këtë ngjarje e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.