“The Telegraph” shkruan për suksesin e Kosovës, ‘Brazili i Ballkanit’ që ngushëlloi dëshpërimin e një kombi”

Gazeta e njohur angleze “The Telegraph” i ka dedikuar një artikull suksesit të Kosovës në Ligën e Kombeve, teksa është cilësuar si ‘Brazili i Ballkanit’.

Shkrimi i “The Telegraph” nis me sqarimin se ky vit është i mbushur me përvjetore të datave të rëndësishme për Kosovën duke përmendur pavarësinë e shpallur me 17 shkurt 2008 dhe 20 vjetorin e krimeve të luftës të kryera nga nacionalistët serbë.

Tutje tregohet se ky vit do të mbyllet në mënyrë të shkëlqyer për skuadrën e Kosovës në futboll duke mos e pësuar asnjë humbje dhe duke përfunduar në vendin e parë të grupeve në Ligën e Kombeve të Divizionit D, gjersa të besuarit e përzgjedhësit Bernard Challandes kanë shënuar më së shumti gola në kompeticionin më të ri të UEFA-së.

“The Telegraph” tutje shkruan se të dielën kur do të hidhet shorti për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian, lokalet në Kosovë do të jenë të mbushura duke pritur me pa durim, përkundër që shteti më i ri në Europë është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit për në Europian nëse mposht Maqedoninë dhe pastaj njërën mes Bellorusisë ose Gjeorgjisë gjatë marsit të vitit 2020 në fazën finale të Ligës së Kombeve.

Gazeta britanike e vë theksin edhe te infrastruktura e munguar në fillimin e aventurës së Kosovës në garat e FIFA-së dhe UEFA-së, derisa sot stadiumi që mban emrin e legjendës së ndjerë të futbollit kosovar, ish presidentit të FFK-së, “Fadil Vokrri”, plotëson kushtet për pritjen e ndeshjeve të rëndësishme për ‘Brazilin e Ballkanit’ siç quhet nga tifozët.

Artikulli i “The Telegraph” përmbyllet me përmendjen e futbollistëve që kanë potencial të madh si, Arbër Zeneli, Milot Rashica dhe Aro Muric e që i kanë dedikuar të ardhmet e tyre për suksesin e Kosovës, ndërsa në futbollistët e fundit të grumbulluar për ndeshjet me Maltën dhe Azerbajxhanin nuk kishte asnjë futbollst mbi moshën 30 vjeçare.