Testohet dhe dezinfektohet stadiumi ‘Fadil Vokrri’, i gatshëm për ndeshjet e Kombëtares

Në stadiumin Fadil Vokrri janë kryer rinovime të nevojshme në fushë dhe objektet dhe tani ai është i gatshëm për t’i mbajtur ndeshjet e ekipit kombëtar të Kosovës.

Gjatë kohës kur futbolli është pezulluar pothuajse në çdo vend të botës, përfshirë në Kosovë, deri në një kohë të papërcaktuar, në stadiumin e Prishtinës janë kryer disa punime të nevojshme, si është testuar ndriçimi.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se stadiumi është i gatshëm për t’i pritur ndeshjet e Kosovës.

“Gjithçka në rregull për ndeshjet ndërkombëtare të Kombëtares A, sonte u testuan edhe dritat në  Stadiumin Fadil Vokrri. Është rikuperuar fusha, janë rinovuar objektet përcjellëse; është dezinfektuar gjë që rezulton se ai është i gatshëm për sfidat e radhës të Kombëtares së Kosovës”, ka thënë Ademi për Gazetën Express.

Megjithatë, Kosova nuk do të mundë të luajë në kryeqytet të paktën deri në muajin shtator, atëherë kur nis fushatën në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Kosova pritet të luajë gjatë verës, ose më së largu në vjeshtë, në play-off të Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 – i cili do të mbahet më 2021 shkaku i pandemisë koronavirus – por gjysmëfinalen ndaj Maqedonisë së Veriut do ta zhvillojë në Shkup. Finalen e mundshme do ta luajë në shtetin e fituesit të duelit tjetër gjysmëfinale Bjellorusi – Gjeorgji.