Nesër (27 maj), Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme përfaqësimi në Parlamentin e Serbisë.
Për ta mbështetur Kamberin, liderët shqiptarë në Kosovë, Shqipëri kanë bërë thirrje që shqiptarët e Tërnocit nesër të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë për të, shkruan Demokracia.com.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u ka bërë thirrje shqiptyarëve të Tërnocit që të votojnë për Shaip Kamberin.
“Nesër, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e një vendi në Parlamentin e Serbisë.
Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit.Ftoj të gjithë votuesit shqiptarë në këtë qendër votimi, që nesër masivisht t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaip Kamberin dhe “Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë”, ka bërë thirje presidenti Meta.

Thirrje për ta votuar Kamberin ka bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Tashmë e kemi parë që Serbia, figurat dhe mekanizmat politik të saj, kanë bërë gjithçka që t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend. Andaj nesër punën e parë në agjendën tuaj ditore, bëni daljen dhe votimin në Qendrën e Votimit nr. 6 në Tërnoc.”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se është e domosdoshme që nesër, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd.
“Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të. Vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës nesër, është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote. Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi. Andaj, u bëj thirrje, që nesër, më 27 maj, të përbashkoheni të gjithë ju më të drejtë vote në Tërnoc duke votuar z.Shaip Kamberin si zë i fuqishëm shqip e shqiptar, njerëzor e qytetar. Tërnoci voton! Shqiptarët fitojnë!”, ka shkruar Kurti.

Kësaj thirrjeje i është bashkuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shkruan Demokracia.com.
Ai ka thë se shqiptarër duhet të mobilizohen për Shaip Kamberin.
“Shaip Kamberi është një patriot i guximshëm, që, si deputet, ka punuar pa ndalë për interesat e shqiptarëve në Luginë. Edhe pse ai fitoi mjaftueshëm vota edhe për një mandat të deputetit, Gjykata ka vendosur që zgjedhjet të ripërsëriten në Tërnoc. Prandaj, të gjithë shqiptarët në Tërnoc, me 27 maj, duhet të mobilizohen dhe mos të lejojnë që Shaipit t’ia marrin mandatin nga duart.”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, Kamberi është e vetmja shpresë e shqiptarëve të Luginës që të kenë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë – e i cili nuk guxon të ndalet. Mobilizohuni dhe dilni e votoni.

Edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku i ka dhënë mbështetje Kamberit, shkruan Demokracia.com.
“Këtë të premte, më 27 maj, Shaip Kamberi dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme përfaqësimi. Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit. Prandaj ftoj secilin votues shqiptar në këtë qendër të ripërsëritur, që masivisht, këtë të premte, t’u drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë. Shaipi është një patriot i madh.”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku është shprehur se Kamberi ka qenë një zë i vetmuar por i guximshëm në mbrotjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Prandaj, çdo votë për të është votë për zërin shqiptar në Serbi.







