Portieri i Barcelonës, Marc-Andre Ter Stegen beson se klubi ka marrë vendimin e duhur rreth dënimeve të Dembeles, por gjermani është i bindur se e ardhmja e bashkëlojtarit është pozitive.
Reprezentuesi i Francës ishte dënuar nga Barcelona pasi që kishte mbërritur me dy orë vonesë në stërvitje me 9 dhjetor, një ditë pas golit të shënuar në derbi kundër Espanyolit.
Raportimet në Spanjë pretenduan se shuma e dënimit ishte më e lartë se 100 mijë euro, ndërsa kjo sjellje kishte zemëruar shumë trajnerin e Barcelonës, Ernesto Valverde.
Dembele kohëve të fundit ka qenë në një formë të shkëlqyeshme duke shënuar 3 gola në dy ndeshjet e fundit mes La Ligas dhe Copa del Rey ndaj kundërshtarëve si Levante dhe Leganes.
Ter Stegen shpreson se Dembele do të mësojë nga gabimet e tija dhe të jetë pikë referuese për Barcelonën.
“Klubi ka reaguar mirë me rastin e tij. Dembele është ende i ri dhe do të mësojë nga këto gabime. Më duhet të them se më pëlqen që jo të gjithë lojtarët janë të njëjtë, përndryshe do të ishte bezdisëse. Ai është futbollist i talentuar që do të na ndihmojë. Na takon dhe ne futbollistëve me përvojë t’i japim një shtysë atij, pjesa tjetër duhet të vijë nga ai”, tha Ter Stegen.







