Abelard Tahiri

Tahiri: Anulimi i Ligjit fitore kundër përpjekjeve të pushtetit për t’i zëvendësuar gjykatat me një byro partiake

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pasi që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai ka thënë se kjo është fitore e shtetit të se drejtës përballë, siç ka thënë, përpjekjeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake. 

“Anulimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e Shtetit të së Drejtës përballë përpjekjeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake që do të shkatërronte sigurinë juridike të qytetarëve në emër të ‘reformës’ në drejtësi”, ka shkruar Tahiri i PDK-së, parti kjo që e kishte dërguar në Kushtetuese Ligjin. 

Sipas Tahirit anulimi i këtij Ligji është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi, siç ka thënë, tendencën për frikësim e shantazh nga pushtet.

“Edhe ky Ligj është dëshmi që pushtetit aktual më shumë i intereson propaganda sesa shteti ligjor, sepse përndryshe do t’i zbatonin ligjet që i kanë trashëguar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Po ashtu, ky Ligj, i rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese, ishte kundër standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, sepse ishte një kopje e ligjit të Bullgarisë, i cili, vitin e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka shkruar Tahiri. 

Për anulimin e Ligjit nga Kushtetuesja ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo i ka akuzuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, për siç ka thënë, shërbim ndaj nomenklaturës së vjetër. Ka thënë se Kushtetueses i janë dashur 16 muaj për ta vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit me Kushtetutën. 

Ajo ka akuzuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin. 
“Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”, ka shkruar Haxhiu.