Shqipëria

Sylvinho insiston se Shqipëria ende nuk është kualifikuar në “Euro 2024”

Selektori i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, ka folur për ciklin eliminator të Evropianit 2024 dhe ka insistuar se ekipi i tij ende nuk e ka siguruar kualifikimin. Sylvinho ka insistuar se Shqipërinë e presin edhe dy ndeshjet e fundit të këtij cikli, të cilat i ka vlerësuar si finale.

Shqipëria do të grumbullohet në fillim të javës së ardhshme për t’u përgatitur për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshjen e parë të Grupit E, Shqipëria e luan më 17 nëntor në udhëtim te Moldavia, ndërsa tri ditë më vonë, përballet me Ishujt Faroe në në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Në një intervistë të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), Sylvinho ka folur për shumë gjëra, përfshirë edhe strategjinë që do ta përdor për dy finalet e fundit të këtij cikli eliminator. Shqipëria i prinë grupit me 13 pikë të mbledhura dhe i mjafton vetëm një pikë prej këtyre dy përballjeve për ta konfirmuar pjesëmarrjen në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet për Gjermaninë. Për Shqipërinë, kjo do të ishte hera e dytë që kualifikohet në këtë ngjarje pas asaj në vitin 2016. Në gjashtë ndeshje të luajtura në grup, Shqipëria ka regjistruar katër fitore, një barazim dhe një humbje.

“Duhet të luajmë futboll. Duhet të përgatitemi për të dyja finalet. Nuk mendojmë për një pikë, por për t’u përgatitur për të dyja takimet. Është një ndeshje shumë e fortë ndaj Moldavisë, sepse edhe ata janë në garë për t’u kualifikuar”, ka thënë Sylvinho. “Duhet ta mbyllim mirë këtë fushatë, deri tani kemi bërë shumë mirë. Çelësi është në fushë, djersa e lojtarëve, zemra e tyre është në fushë. Janë dy finale të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe është përgjegjësi e madhe. Jemi të ndërgjegjshëm që jemi në rrugën e duhur. Jam i lumtur që futbolli na jep këtë mundësi për të shkuar përpara. Të punosh me Kombëtaren është shumë e bukur. Po përjetojmë një periudhë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Duhet të jemi me këmbë në tokë”.

Shqipëria këtë cikël e nisi me humbje në udhëtim te Polonia, por pastaj erdhën rezultatet pozitive që garantuan pozitën e parë në tabelë. Sipas Sylvinhos, meritat për këtë arritje i kanë futbollistët. Ai insiston se rrugëtimi i Shqipërisë në këto eliminatore, nisi pikërisht në Varshavë.

“E morëm ekipin në janar, pas një muaji e gjysmë duke udhëtuar, duke u takuar më lojtarët për t’u njohur. Kemi shkuar në Poloni dhe nuk e dinim çfarë na priste. Polonia është një skuadër shumë e fortë dhe në Varshavë, ishte një fushë shumë e vështirë. Aty nisi një rrugëtim dhe ata e kuptuan se e rëndësishme për ne ishte të ishim në garë. Ata e kuptuan se edhe pse pësuam një gol, duhet të ishim seriozë dhe të fokusuar brenda objektivit, në minutën e fundit kishim mundësi për të barazuar. Unë mendoj se ishte një sinjal që u erdhi atyre”, ka zbuluar Sylvinho.

Sylvinho thotë se puna e madhe që e bën me stafin e tij, ka pasur rëndësi të madhe në këtë aspekt. Po ashtu, ka shtuar se idetë e tij tashmë i kanë kuptuar edhe lojtarët, të cilët nuk kursejnë asgjë nga vetja në fushë në secilën ndeshje.

“Shfrytëzojmë çdo moment, monitorojmë çdo futbollist. Sot kemi 50-60 futbollistë që i monitorojmë gjatë gjithë javës. Në zyrë bëhet puna më e madhe, më pas shihet lojtari, punojmë në stërvitje dhe përgjigjja e rëndësishme është puna e futbollistëve. Pra, suksesi është puna dhe gjetja e lojtareve të duhur”, u shpreh Sylvinho. “Çelësi i kësaj skuadre është që ata e kuptojnë organizimin, sakrifikohen dhe janë gati për t’u mbrojtur. Lojtarët japin gjithçka në fushën e lojës”.

Ai insiston se nuk ka vetëm një futbollist të preferuar te Shqipëria, por janë disa. Ka thënë se i pëlqen kjo gjeneratë, ndërsa ka shtuar se Ylber Ramadani e Elseid Hysaj japin më shumë në fushë se të tjerët. Po ashtu, Sylvinho ka thënë se është shumë i lumtur që i ka dy portierë në ekip si Etrit Berisha e Thomas Strakosha. Ka pranuar se Armando Broja është një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë dhe me padurim pret që ai të rikuperohet plotësisht, sikurse edhe mbrojtësi Marash Kumbulla.

“Kemi dy portierë shumë të fortë dhe kemi besim si te Berisha, ashtu edhe te Strakosha. Berisha ka më shumë se 70 ndeshje me Kombëtaren, Strakosha më shumë se 30”, tha Sylvinho.

Në fund, Sylvinho ka thënë se fokusi i tij është vetëm te ndeshja në udhëtim me Moldavinë, të cilën e ka vlerësuar si të vështirë. Ai ka thënë se në këto eliminatore vetëm Shqipëria e ka mposhtur Moldavinë që po ashtu është në garë për kualifikim në “Euro 2024”.