2023/24

Superliga e Kosovës në futsall fillon me 9 shtator, rregulla të reja për sezonin e ri

Superliga e Kosovës për sezonin 2023/24 do të fillojë më 9 shtator, ku do të paraqiten dhjetë ekipe.

Shorti do të hidhet me 2 shtator si për Superligën, po ashtu edhe për Ligën e Parë.
Për ta bërë kampionatin sa më profesional, Komisioni i Futsallit, ka vendosur të bëjë disa ndryshime pas analizave të kryera në edicionet e shkuara.

Në sezonin 2023/24 në play-off do të futen gjashtë ekipe. Në çerekfinale do të luajnë vendi i tretë (3) me vendin e gjashtë (6) dhe vendi i katërt (4) me vendin e pestë (5). Vendi i parë (1) dhe vendi i dytë (2) do të kalojnë direkt në gjysmëfinale.

Gjysmëfinalet e play-offit zhvillohen sipas formulës 1 vs 4/5 dhe 2 vs 3/6. Plasmanin në finale e siguron ekipi që arrin dy fitore.
Vendi i tetë ( 8 ) në renditje në Superligë dhe vendi i tretë ( 3 ) në renditje të Ligës së Parë do të luajnë dy ndeshje me sistemin vajtje-ardhje për një vend në Superligë.

Po ashtu është marr vendim që ekipet vendase të jenë të obliguara ta bëjnë incizimin e ndeshjes. Obligative është edhe prezenca e mjekut.
Lojtari duhet ta ketë numrin e njëjtë në fanellë që nga ndeshja e parë deri në përfundim të kampionatit.