Superkupa e Kosovës në basketboll vazhdon sot me dy ndeshje tjera

As Sigal Prishtinës e Golden Eagle Yllit, të cilat dje e siguruan kualifikimin për në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës në basketboll, për këtë synim sot do të “luftojnë” edhe katër skuadra tjera.

Nga ora 17:00 takohen Trepça e Rahoveci, të cilat në kampionat nuk kanë pasur formë stabile. “Minatorët” pas nismës së mirë, në javët e fundit i bënë disa gabime, por gjithsesi cilësia në ekipin e tyre nuk mungon, prandaj ata, jo vetëm që synojnë fitore në ndeshjen e sotme, por kanë ambicie për shumë më tepër.

Ndërsa, “Vreshtarët” nuk e kanë nisur aspak mirë edicionin e sivjetmë, pas pas 13 ndeshjeve i kanë vetëm dy fitore. Sidoqoftë, ata synojnë që në turneun e Superkupën e Kosovës të kenë paraqitje sa më të mirë.

Ndeshja tjetër, ajo ndërmjet rivalëve të vjetër, Pejës e Bashkimit, fillon në orën 20:30.

Pejanët mund të shihen si favoritë, së paku duke u bazuar në renditjen në kampionat dhe takimet e drejtpërdrejta, por sigurisht edhe prizrenasit i kanë ambiciet e tyre.